Daçiq: Shqiptarët nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës duke thënë se ata nuk janë zgjedhur nga serbët. Nga ana tjetër autoritetet serbe kanë vendosur forcat e tyre të armatosura të qëndrojnë në nivelin më të lartë të gatishmërisë

Ivica Daçiq

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se detyrë e KFOR-it është “t’i pamundësojë aktet e njëanshme të Prishtinës”, e “jo t’i pengojë punonjësit të hyjnë në ndërtesat [komunale]”.

“Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe, ku serbët nuk i kanë zgjedhur”, tha Daçiq për RadioTelevizionin e Serbisë.

Ai shtoi se forcat e armatosura të Serbisë janë në gjendje gatishmërie.

Autoritetet serbe kanë vendosur që forcat e tyre të armatosura të mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë deri në një njoftim të radhës, për shkak të situatës në veri të Kosovës.

Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë po protestojnë në veri, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në veri ka prezencë të shtuar të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

KFOR ka parandaluar serbët që t’i afrohen ndërtesave komunale në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës bëri të ditur se protestat në veri po vazhdojnë.

Bashkësia ndërkombëtare ka fajësuar Qeverinë në Prishtinë për rritjen e tensioneve në veri.

Më 26 maj, në komunat veriore serbët lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, teksa kjo e fundit asistoi kryetarët e rinj që të hynin në zyrat komunale.

Hyrja e tyre në ndërtesat komunale nga faktori ndërkombëtar u cilësua si “hyrje me forcë” dhe nga Qeveria e Kosovës u kërkua që të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën më 23 prill, pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./rel/

Shija e redaktorit

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Panairi i Librit në Tiranë: “Dukagjini” me 50% zbritje, stenda...

Në Tiranë ndihet kudo aroma e librit! Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia...

Të fundit nga rubrika