I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana.
Me anë të një postimi në Twitter, Lajçak ka bërë të ditur se të dy kanë rënë dakord për nevojën e ndërmarrjes së hapave për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.
“Ishte e dobishme të takoja zëvëndëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, për të diskutuar situatën në veri të Kosovës. Ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa për depërshkallëzimin e menjëhershëm. Këtë e theksova edhe kur iu drejtova ambasadorëve të NATO-s”, ka shkruar Lajçak.
Useful to meet with @NATO DSG @Mircea_Geoana to discuss the situation in the north of Kosovo. We agreed that steps need to be taken for immediate de-escalation. I also stressed this when addressing @NATO Ambassadors. pic.twitter.com/ggHntRFPga
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 13, 2023
Ndryshe, në veri të Kosovës tensionet janë duke vazhduar që nga 26 maji, me rastin e hyrjes së kryetarëve të zgjedhur të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Si rrjedhojë, Kurtit i erdhën tri kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare, qetësimi i situatës në veri duke larguar Policinë e Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimi në dialogun për normalizim Kosovë-Serbi.