(Mos) refuzimi i ftesës së presidentes

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i kanë thënë “jo” ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka dërguar ftesë kryetarëve të partive politike opozitare për takim, fillimisht individual, e më pas të përbashkët.

Kjo me kërkesë të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka bërë thirrje për mbajtjen e një takimi në mes të krerëve të institucioneve dhe kryetarëve të partive politike të vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i tha “jo” kësaj ftese.

Ai e ka arsyetuar vendimin me sjelljen e Osmanit për zhvillimet e fundit, duke konstatuar se ajo ka shkelur obligimin e saj kushtetues.

“Dje kam pranuar nga presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga kryetari i AAK-së. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Megjithatë, ai është shprehur i gatshëm të takohet me Osmanin në rast se vendoset për caktim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar të jetë pjesë e këtij takimi.

“LDK ka përcjellë me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend; në veçanti qasjen e papërgjegjshme të kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO. Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shkruhet në këtë letër.

Në letër thuhet se kjo parti nuk mund ta pranojë e as tolerojë përplasjen e Kosovës me aleatët e saj.

“Për më tepër, LDK-ja nuk mund të jetë pjesë e asnjë diskutimi mbi këtë çështje.”

Ndërkaq, vetë kërkesa e Haradinajt për këtë takim lë të nënkuptojë që i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

Ndryshe, Bashkimi Evropian (BE) përmes një komunikate për media, ka konfirmuar se të enjten (sot) rreth orës 14:00, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

BE-ja ka theksuar se me Kurtin dhe Vuçiqin do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për ta shtensionuar situatën në veri, në mënyrë që palët t’i kthehen zbatimit të marrëveshjeve.

Kurti dhe Vuçiq veçse kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiq.

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Shija e redaktorit

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Të fundit nga rubrika