Pesë të vrarë, 31 të plagosur nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

Dy sulme ajrore ruse e kanë goditur qytetin ukrainas, Pokrovsk, në lindje të Donjeckut, duke i vrarë pesë persona dhe duke i plagosur të paktën 31 të tjerë

Ekipet e shpëtimit punojnë në vendin ku u shkatërrua një ndërtesë gjatë një sulmi me raketa ruse në Pokrovsk, në rajonin Donetsk të Ukrainës [Reuters]

Dy sulme ajrore ruse e kanë goditur qendrën e qytetit ukrainas, Pokrovsk, në lindje të Donjeckut të hënën, duke i vrarë pesë persona dhe duke i plagosur të paktën 31 të tjerë, njoftuan zyrtarët ukrainas.

Në sulmin e parë, i cili e kishte për cak pjesën ukrainase të një rajoni të okupuar pjesërisht nga Rusia, u vranë katër civilë, ndërsa në tjetrin mbeti i vdekur nënkryetari i degës rajonale të Shërbimit Emergjent Shtetëror të Ukrainës, tha ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.

Të paktën 31 njerëz – përfshirë 19 policë, pesë shpëtimtarë dhe një fëmijë, u plagosën gjatë sulmeve, thanë zyrtarët.

Nga këto sulme u dëmtuan një hotel, ndërtesat e banimit dhe struktura të tjera civile, tha guvernatori i Donjeckut, Pavlo Kyrylenko.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë në një komunikatë për media online se po përpiqet të mos lërë asgjë pos “gurë të copëtuar e djegur” në lindje të Ukrainës. Komentet e tij u shoqëruan nga pamje nga dëmtimi i një ndërtese pesëkatëshe banimi, e cila kishte një kat të rrënuar praktikisht.

Sulmi vdekjeprurës vjen vetëm një ditë pasi zyrtarët nga rreth 40 vende të botës u mblodhën në Arabinë Saudite për ta gjetur një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Rusisë e dënoi të hënën këtë takim dyditor, duke e cilësuar si “pa kurrfarë vlere”, për shkak se Moska, për dallim nga Kievi, nuk ishte e ftuar.

Ministria ruse i përsëriti komentet e kaluara se Moska është e hapur për një zgjidhje diplomatike sipas kushteve të saj, e cila do t’i jepte fund luftës 17-muajshe, dhe se është e gatshme të përgjigjet ndaj propozimeve serioze.

Kremlini kërkon që Kievi ta njohë aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Moska, të cilat tani për tani forcat ruse i kontrollojnë vetëm pjesërisht, si dhe Krimenë, të cilën Moska e uzurpoi në vitin 2014.

Por, Mykhailo Podolyak, këshilltari i Zelenskyt, i ka hedhur poshtë kërkesat e mëparshme të Moskës, të cilat do t’i jepnin kohë Rusisë për t’u futur edhe më thellë në pjesët e Ukrainës që i ka okupuar. Ai tha në X, rrjetin social që dikur njihej si Twitter, se forcat ruse duhet patjetër të tërhiqen plotësisht nga zonat e okupuara dhe se Kievi nuk do të bëjë kompromise për këtë.

Ndërkohë, Shërbimi Sekret i Ukrainës (SHSK) njoftoi të hënën se e ka arrestuar një informatore të dyshuar ruse, e cila kishte mbledhur informacione të inteligjencës për vizitën e presidentit të Ukrainës Zelensky në rajonin jugor, Mikolaiv, muajin e kaluar.

“Kjo grua po mblidhte të dhëna për një sulm ajror gjatë vizitës së Zelenskyt”, sipas SHSK-së.

Zelensky ka qenë caku kryesor i Kremlinit që kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, kur ai nuk pranoi të largohej nga Kievi derisa forcat ruse po afroheshin./REL

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika