Aliu për dëshminë e Abrahams në Hagë: Tmerruese që raportet e shërbimeve serbe të përdoren për ta akuzuar UÇK-në

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se është tmerruese kur raportet e shërbimeve dhe të mediave serbe të konsiderohen si fakte nga një organizatë kaq e njohur botërore si Human Rights Watch, për të akuzuar UÇK-në

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka komentuar dëshminë e raportuesit të Human Rights Watch, kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ai ka theksuar se është tmerruese kur raportet e shërbimeve dhe të mediave serbe të konsiderohen si fakte nga një organizatë kaq e njohur botërore si Human Rights Watch, për të akuzuar UÇK-në.

Këto raporte, ministri i ka quajtur tendencioze dhe të pasakta.

“Të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimet e ditëve të fundit në Hagë, kanë mundur të shohin e të dëgjojnë se sa të pasakta e tendencioze kanë qenë disa raporte që janë marrë si dëshmi e janë përdorur për të akuzuar UÇK-në. Është tmerruese kur e mendon se si raportet e shërbimeve dhe mediave serbe kanë arritur të ndikojnë dhe të konsiderohen si fakte nga një organizatë kaq e njohur botërore si Human Rights Watch”.

“Pra, qëndrimet e dala nga aparati i Serbisë – i cili deri në atë kohë qe pushtues herë represiv e herë opresiv, por që edhe sot e kësaj dite ka për synim shtypjen e shqiptarëve në Luginë dhe njëherit bllokimin e Kosovës – janë publikuar nga HRË, fatkeqësisht pa bërë as verifikimet e duhura në terren. Së paku kështu po del nga dëshmia e deritanishme e dëshmitarit të prokurorisë në Hagë Frederic Abrahams! Dhe këto të dhëna po i përdor Prokuroria si bazë për ngritjen e aktakuzave për krime”, shkroi Aliu.

Ai potencon bindjen e tij se duhet të ketë drejtësi për çdo viktimë të krimit, pavarësisht etnisë, e po aq i bindur shprehet se UÇK-ja do të dalë plotësisht e pafajshme “pavarësisht se sa ka qenë dhe mbetet cak i fushatave shpifëse nga sistemi antishqiptar millosheviqian, e tash edhe nga pasardhësit e tyre”.

Sipas tij, lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pashmangshme, teksa shton thirrjen që sa më shpejt të pranohet ky fakt, aq më shpejt do të krijohen kushtet për fqinjësi e bashkëjetesë të qëndrueshme e paqësore në rajon.

“Kjo nuk është çështje opinionesh, ashtu siç nuk kanë qenë çështje opinionesh shtypja, diskriminimi, përbuzja racore, përndjekja e burgosja politike, dhe në fund edhe spastrimi etnik që Serbia e ka ushtruar kundër Shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX”, shtoi më tej ministri Aliu.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika