Avokati i njërit prej të dyshuarve për sulm terrorist në veri, Dejan Vasiq, në një prononcim për media ka thënë se klientit të tij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Avokati ka bërë të ditur se ata planifikojnë të paraqesin një ankesë kundër kësaj mase të caktuar nga autoritetet gjyqësore.
Po ashtu, ai ka thënë se klienti i tij, njëri prej të dyshuarve për sulm terrorist në veri, përkatësisht në Banjskë të Zveçanit, do t’i tregojë të gjitha para gjykatës.
“Dushan Maksimoviqit sot i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ne do të parashtrojmë ankesë dhe kemi paraqitur disa fakte që mendojmë se janë relevante dhe që tregojmë për diçka që ndoshta është më shumë mosmarrëveshje sesa që ka lidhje me veprën penale. Paralajmëroj për nesër ankesë dhe do ta shohim se si gjykata do ta trajtojë këtë ankesë tonën. Dushani dje nuk ishte në gjendje të japë deklaratë. Ishte pak i shqetësuar për gjithë që ndodhi, por unë do të kërkoj që ai të merret në pyetje sa më parë, nëse është e mundur që nesër. Gjykimi është i mbyllur për opinionin dhe askush nga ne nuk ka autorizim që të japë detaje.. Mendoj se ai do t’i thotë të gjitha për rastin”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, motra e të dyshuarit për sulm terrorist në veri, Biljana Maksimoviq, para mediave ka thënë se “hetimet do ta tregojnë të vërtetën lidhur me rastin e vëllait tim, Dushan Maksimoviq”.
“Të gjithë, të gjithë jemi pranë tij”, ka shtuar ajo.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dy të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin për portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Po, dy të dyshuarve iu është caktuar masa prej një muaji paraburgim”, ka thënë Gashi.
Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ata dyshohen se bashkë më një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme luftarake, të rënda, me dashje, kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake.
Fillimisht, thuhet se kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granata dhe armë të ndryshme, me ç’rast tek ura afër Manastirit, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.