OpenAI emëron shefin e ri, i vjetri i bashkohet Microsoft-it

OpenAI ka emëruar ish-shefin e Twitch, Emmett Shear, si drejtor të përkohshëm, ndërsa ish-shefi i Open AI i është bashkuar Microsoft-it

Kompania OpenAI ka emëruar ish-shefin e Twitch, Emmett Shear, si drejtor të përkohshëm, ndërkaq ish-shefi i kësaj kompanie, Sam Altman, i është bashkuar Microsoft-it në një varg episodesh befasuese në industrinë e inteligjencës artificiale.

Këto emërime që ndodhën të dielën mbrëma, vijnë pas largimit të Altman disa ditë më parë nga posti i drejtorit të krijuesit të ChatGPT, duke u dhënë fund spekulimeve se ai mund të kthehej në OpenAI.

Në një deklaratë të publikuar në X – që më herët njihej si Twitter – Shear hodhi poshtë spekulimet se bordi i OpenAI ka shkarkuar Altmanin për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë e modeleve të fuqishme të inteligjencës artificiale. Ai u zotua se do të nisë një hetim lidhur me këtë shkarkim, do të shqyrtojë një menaxhim të ri për OpenAI dhe të vazhdojë rrugën që kjo teknologji të jetë e qasshme, sikurse chatbot-in e tij viral.

“Nuk jam aq i çmendur sa të pranoj këtë vend pune pa pasur mbështetjen e bordit për komercializimin e modeleve tona të mrekullueshme”, tha Shear, duke shtuar se “stabiliteti i OpenAI dhe suksesi jonë është shumë i rëndësishëm sa të lëmë që kjo mosmarrëveshje të na dëmtojë”.

Shear ka bashkëthemeluar Twitch dhe më herët gjatë këtij viti kishte dhënë dorëheqje nga udhëheqja e një platforme të ngjashme të transmetimit të drejtpërdrejtë të videove në Amazon.com.

OpenAI shkarkoi Altmanin të premten për të ”mungesës së komunikimit”, sipas një memoje të brendshme që e ka parë Reuters.

Altman ishte bashkëthemelues i kompanisë që ndikoi në një bum në industrinë e inteligjencës artificiale gjeneruese, duke lëshuar në përdorim një vit më parë ChatGPT-në, chatbot-in që u bë një prej programeve më të popullarizuara kompjuterike në botë.

Drejtori i Microsoft, Satya Nadella, shkroi në X se Altman do të bëhet drejtor i një grupi të ri hulumtues të kompanisë, së bashku me kolegët e tjerë që u larguan nga OpenAI sikurse presidenti Greg Brockman, i cili dha dorëheqje pasi Altman u shkarkua.

Microsoft ka investuar miliarda dollarë në OpenAI dhe ka rrezikuar investimet në këtë kompani pasi lëshoi në përdorim platformën Copilot për konsumatorët e tij, bazuar në teknologjinë e OpenAI.

Mëngjesin e së hënës, aksionet e Microsoft u tregtuan në bursa për pothuajse 2 për qind, pasi mori njerëzit kryesor të OpenAI me synim që të stabilizojë këtë kompani dhe që të u pamundësojë rivalëve të tij, Alphabet, Google dhe Amazon.com që të punësojnë njerëzit e talentuar të OpenAI.

Microsoft kishte mbështetur rikthimin e Altman në OpenAi, sipas burimeve.

Nadella dhe Shear kanë thënë se kompanitë vazhdojnë të jenë të përkushtuara që të bashkëpunojnë, përderisa burimet pritet të shkojnë në grupin e ri që Altman do të udhëheqë në Microsoft.

Nadella shkroi në X se “misioni vazhdon”, teksa ripublikoi postimin e Altman.

Vendimi i bordit për të mos rikthyer Altmanin si shef të OpenAI shqetësoi investitorët dhe punonjësit lidhur me rrugën që do të marrë kompania. Ata shprehën frikën se një numër i madh do të largohen nga kompania, që do të mund të ndikojë në të ardhurat e kompanisë.

Pak pasi Shear u emërua si shef, punëtorët e pakënaqur u larguan nga selia kryesore e OpenAI në San Francisko, raportoi The Information.

Dhjetëra pjesëtarë të stafit njoftuan të dielën mbrëma se do të largoheshin nga kompania, thanë burimet. Disa liderë të kompanisë publikuan në X mesazhin që thoshte “OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e tij”, raporton REL.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika