Ministrat e BE-së do t’i takojnë diplomatët e lartë izraelitë dhe palestinezë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) do të mblidhen të hënën në Bruksel për takime me homologët e tyre nga Izraeli, Autoriteti Palestinez dhe disa vende arabe kryesore. Këto takime do të përqendrohen te situata e konfliktit në Gazë dhe zgjidhjen e mundshme të paqes

Flamujt e Bashkimit Evropian jashtë selisë së Komisionit Evropian në Bruksel. Fotografi ilustruese.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) do të zhvillojnë disa takime të hënën me homologët e Izraelit, Autoritetit Palestinez dhe vendeve kryesore arabe. Takimet kanë të bëjnë me luftën në Gazë dhe perspektivat për një zgjidhje të ardhshme paqeje, thanë zyrtarët.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz dhe homologu i tij palestinez, Riyad al-Maliki, nuk pritet të takohen me njëri-tjetrin gjatë vizitave të tyre në Bruksel.

Ministrat e Jashtëm të Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite, gjithashtu, do të takohen me homologët evropianë në Bruksel, në kohën e frikës se një konflikt më i gjerë mund të përfshijë Lindjen e Mesme.

Diplomatët evropianë thanë se qëllimi i tyre është të informojnë secilën palë mbi mënyrat për t’i dhënë fund dhunës në terren, si dhe për hapat e ardhshëm drejt një zgjidhjeje afatgjatë.

Izraeli nisi ofensivën pas sulmit të paprecedent të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evorpian – në jug të Izraelit më 7 tetor, kur luftëtarët e grupit vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 250 të tjerë. Afër 130 pengje Izraeli beson se ende janë nën robërimin e Hamasit. Lufta ka rritur tensionet në mbarë rajonin, duke kërcënuar nxitjen e konflikteve të tjera.

Si përgjigje, Izraeli është zotuar të “asgjësojë” Hamasin dhe ofensiva e tij ajrore dhe tokësore ka vrarë të paktën 24.620 palestinezë, rreth 70 për qind e tyre gra, fëmijë dhe adoleshentë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Blloku prej 27 vendesh, së bashku me Shtetet e Bashkuara, beson se krijimi i një shteti palestinez mbetet e vetmja mënyrë e mundshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme.

Por, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten e kundërshtoi kategorikisht këtë sugjerim.

Franca ka thënë se BE-ja do të miratojë të hënën sanksione ndaj Hamasit për sulmin e 7 tetorit.

Shefi politik i lëvizjes islamike në Gazë, Yahya Sinwar, u shtua të martën në listën e zezë “terroriste” të BE-së.

Diplomatët thonë se vendet e BE-së janë gjithashtu në procesin e hartimit të sanksioneve kundër kolonëve “ekstremistë” izraelitë në Bregun Perëndimor.

Vendet e BE-së këtë javë dhanë mbështetjen fillestare për ngritjen e një misioni detar për të ndihmuar në mbrojtjen e anijeve nga sulmet e Huthëve të Jemenit në Detin e Kuq, shkruan REL.

Takimi i ministrave të BE të hënën është caktuar për të diskutuar mbi misionin, por ai pritet të finalizohet në muajin e ardhshëm.

Holanda dhe Gjermania kanë thënë se janë të gatshme të kontribuojnë me anije në mision.

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika