Protestë kundër vizitës së Milorad Dodikut në Podgoricë

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, vizitoi më 27 shkurt Malin e Zi ku qindra protestues e priten para ndërtesës së Parlamentit

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik – i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe – vizitoi më 27 shkurt Malin e Zi, ku qindra protestues e priten para ndërtesës së Parlamentit.

Dodik, i cili u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 21 shkurt në qytetin Kazan në Republikën e Tatarstanit, e cila është pjesë e Rusisë, mbërriti në Podgoricë për një takim me kryetarin e Parlamentit, Andrija Mandiç.

Takimi i Dodikut me Putinin ishte takimi i katërt prej kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.

Në takimin e majit të vitit 2023, Dodiku tha se “Republika Sërpska mbetet proruse, antiperëndimore dhe antiamerikane”.

Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe qeveria e Milojko Spajiqit i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk kishin informacion zyrtar për vizitën e Dodikut, apo njoftime për takime me zyrtarë.

Protestuesit të cilët u mblodhën te ndërtesa e Parlamentit, kritikuan takimin e Mandiçit me Dodikun, duke mbajtur në duar mbishkrimet “Ne duhet t’i themi jo Mandiçit dhe Dodikut!”, dhe një pankartë ku ishte shkruar “Të dërguarit e Putinit nuk janë të mirëpritur”.

Duke hyrë në ndërtesën e parlamentit, Dodik përshëndeti turmën me tre gishta.

Protestuesit u përgjigjën duke bërtitur “fashist”.

Dodik i tha Putinit se Republika Srpska refuzon t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, pavarësisht presionit nga qeveritë perëndimore dhe tha se ai nuk dëshiron ta shohë Bosnjën t’i bashkohet NATO-s.

Dy ditë para takimit të tij me Putinin, Dodik u takua me liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili është nën sanksione nga BE-ja që nga viti 2020, për shkak të parregullsive në zgjedhjet presidenciale të atij viti, që ai pretendoi se i ka fituar.

Mandiç, si një nga udhëheqësit e koalicionit të Frontit Demokratik prorus, me dy parti të tjera, tha se ishte një nder i madh të priste Dodikun.

Mandiç tha se me Dodikun do të diskutonte një marrëveshje bashkëpunimi të propozuar në fushat e biznesit, sportit, arsimit dhe kulturës në përputhje me marrëveshjen e Dejtonit.

Ai tha në një konferencë për media se qeveria e kaluar e kishte hedhur poshtë marrëveshjen.

Partitë opozitare reaguan ashpër ndaj vizitës së Dodikut.

Partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve tha se ai erdhi me “detyrën për të përcjellë mesazhet e Putinit tek aleatët e tij në Mal të Zi”.

Abaz Dizdareviç, një deputet i DPS-së, tha se vizita e Dodikut në Mal të Zi pas udhëtimeve të tij në Rusi, Bjellorusi dhe Serbi, konfirmon se zyrtarët e Malit të Zi po mashtrojnë partnerët ndërkombëtarë me agjendën e tyre evropiane.

Partia Boshnjake tha se vizita e Dodikut ishte një shenjë e qartë se Mali i Zi “po bëhet një strehë për politikanët dhe politikat që janë përfaqësues të politikës ruse në Ballkan”./REL

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika