SHBA-ja “e zhgënjyer” me thirrjet që serbët ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” me thirrjet publike që serbët e Kosovës të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë

Regjistrimi i popullsisë, obligim ligjor

Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” me thirrjet publike që serbët e Kosovës të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha më 5 prill se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

“Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në regjistrimin e popullsisë. Një regjistrim i saktë mundëson shpërndarjen e drejtë të burimeve shtetërore për të gjithë qytetarët. Ne njohim përgjegjësinë dhe autoritetin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar procesin e regjistrimit të popullsisë”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.

Në reagimin e saj më 5 prill, Lista Serbe tha se pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës…”.

Ajo po i referohej një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarin për pagesa me para të gatshme, pasi e caktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Më 2011 ishte zhvilluar procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë. Ky proces, megjithatë, nuk ishte zhvilluar në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë./Radio Evropa e Lirë

Bojkoti kishte ndodhur pasi autoritetet nga Beogradi u kishin kërkuar banorëve serbë në Kosovë të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Sipas regjistrimit të vitit 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100,000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Ndërkohë vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika