Karen Pierce: Provat e Institutit për Krimet e Luftës, kontribut i rëndësishëm për të vërtetën dhe llogaridhënien

E dërguara e posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka mirëpritur provat e publikuara nga Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë, duke i cilësuar ato si një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e fakteve dhe në kërkimin e llogaridhënies për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Në reagimin e publikuar nga Ambasada britanike në Kosovë, Pierce ka theksuar se të dhënat e mbledhura për më shumë se 13 mijë persona që humbën jetën ose u zhdukën gjatë luftës, si dhe për mijëra të tjerë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, janë të rëndësishme për ndërtimin e së vërtetës historike.

Sipas saj, paqja e qëndrueshme në rajon kërkon që të gjitha komunitetet të përballen me të kaluarën me ndershmëri dhe të punojnë drejt së vërtetës, pajtimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

“Këto gjetje janë një kontribut i rëndësishëm drejt vendosjes së provave të bazuara në fakte dhe llogaridhënies për më shumë se 13,000 njerëz që humbën jetën ose u zhdukën gjatë konfliktit në Kosovë, dhe shumë të tjerë që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime ose trauma.

Ngjarjet tragjike në Kosovë janë ndër periudhat më të errëta në historinë e kohëve të fundit të Evropës dhe ne duhet të mësojmë nga mësimet e saj. Paqja e qëndrueshme kërkon që të gjitha komunitetet të angazhohen sinqerisht me të kaluarën dhe të punojnë drejt së vërtetës, pajtimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Dekada nga fundi i vuajtjeve njerëzore në shkallë të gjerë, Mbretëria e Bashkuar mbetet e vendosur në mbështetjen e saj për një paqe dhe siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin e gjerë”, ka thene Pierce.

Por, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, përballja me të kaluarën vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Institucionet e Kosovës dhe familjarët e viktimave vazhdimisht kanë kërkuar që Serbia të përballet me përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999, të kryera nga forcat e saj ushtarake, policore dhe strukturat e tjera të armatosura që vepruan në Kosovë.

Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe kanë kryer vrasje masive të civilëve, dëbime, dhunë sistematike dhe zhdukje të personave, krime për të cilat familjarët e viktimave ende kërkojnë drejtësi.

Megjithatë, Serbia nuk ka ndërmarrë një proces të plotë institucional të reflektimit për rolin e strukturave të saj shtetërore në këto ngjarje.

Përkundrazi, autoritetet serbe vazhdojnë të mohojnë ose relativizojnë një pjesë të krimeve të dokumentuara gjatë luftës.

Një prej rasteve më të njohura është masakra e Reçakut, e kryer në janar të vitit 1999, ku u vranë 45 civilë shqiptarë, të cilën ende zyrtarët serbë vazhdojnë ta mohojnë.

Mungesa e një kërkimfaljeje zyrtare nga Serbia dhe mospranimi i përgjegjësisë për krimet e kryera mbetet një nga pengesat kryesore për procesin e pajtimit.

Në këtë situatë ekziston një paradoks i vazhdueshëm: ndërsa Serbia nuk ka bërë një përballje të plotë me të kaluarën, nga udhëheqës të lartë të saj vazhdojnë të vijnë deklarata dhe qëndrime që tensionojnë marrëdhëniet në rajon.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdimisht ka mbajtur qëndrime që refuzojnë ta trajtojnë përgjegjësinë e Serbisë për luftërat e viteve ’90, ndërsa deklarata të zyrtarëve të tjerë serbë janë kritikuar si nacionaliste dhe shoveniste.

Të fundit nga rubrika