Si e ndryshoi brenda muajit mendimin e vet gjykatësi Kuçi për Sekiraqën?

Kryetari i trupit gjykues në rastin e Enver Sekiraqës, e kishte ndryshuar rrënjësisht mendimin e tij për masën ndaj të akuzuarit brenda muajit. Kjo kishte reflektuar edhe në vendimet për masën e sigurisë ndaj të dënuarit nga shkalla e parë e Gjykatës. Më 23 mars 2024 kur vendosi t’ia vazhdonte edhe për dy muaj arrestin shtëpiak, Agim Kuçi konsideronte se e kaluara e Sekiraqës është faktor i besueshëm se ai mund të arratiset. Pos kësaj, edhe të tjera rrethana rënduese konsideronte gjykatësi tashmë i suspenduar, të cilat i harroi një muaj pas kur e la të mbrohet në liri Enver Sekiraqën

Brenda një muaji e pak ditësh, dy mendime e vendime krejtësisht të kundërta i kishte lëshuar vet gjykatësi Agim Kuçi për Enver Sekiraqën.

Më 22 mars, kur ia kishte vazhduar masën e arrestit shtëpiak e ende as pa e dënuar me burgim, e konsideronte problematike të kaluarën e të kërkuarit të drejtësisë.

Dukagjini, përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, i ka siguruar tri vendimet e këtij viti të gjykatësit të Themelores në Prishtinë për masën e sigurisë ndaj Enver Sekiraqës.

Madje, vet gjykatësi i suspenduar mendonte se rrethanë rënduese për Sekiraqën është fakti i ikjes së tij nga ballafaqimi me drejtësinë.

Vendimi i Agim Kuçit me 22.03.2024

“Nëse i pandehuri gjendet në liri ekzistojnë rrethanat e ikjes, marrë parasysh faktin se i pandehuri pas kryerjes së veprës penale për të cilën dyshohet se e ka kryer është arratisur për një kohë të gjatë, dhe nëse lihet në liri të plotë ekziston mundësia se i njëjti do të arratiset përsëri”.

Enver Sekiraqa ishte në arrati për rreth 5 vjet dhe asnjëherë nuk arriti të kapet nga shteti. Me aktakuzën për “Shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë” ndaj policit Triumf Riza, u ballafaqua tek kur vendosi vet të dorëzohet.

Vendimi i Agim Kuçit me 22.03.2024

“Pesha e veprës penale konsiston në atë se rrezikshmëria shoqërore e kësaj vepre penale është tejet e lartë, është privuar nga jeta personi zyrtar, pjesëtar i Policisë së Kosovës”.

Pos këtyre, gjykatësi në vendimin që e mori sipas detyrës zyrtare e pa mendimin edhe të dy anëtarëve tjerë, vetëm me bashkëpunëtorin profesional Lavdim Mehmeti, besonte se Sekiraqa është i aftë të asgjësojë, fsheh e ndryshojë provat e gjithashtu të ndikonte apo frikësonte dëshmitarët dhe të dëmtuarit.

Vendimi ndaj Enver Sekiraqës nuk është i formës së prerë sepse ende ka hapësirë ligjore për ankesë në shkallë të tjera të Gjykatës.

Saktësisht pas 40 ditësh, Agim Kuçi e konsideronte tjetër person Enver Sekiraqën.

Ani se u dënua me 25 vjet burgim për veprën penale, që vet gjykatësi e shihte si me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me 3 maj, vendosi t’ia hiqte të gjitha masat dhe e la të mbrohet në liri.

Se çfarë rrethana e kanë bërë gjykatësin e suspenduar Kuçi të ndryshojë qëndrimin e vet, nuk është e qartë meqenëse asnjë ditë nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.

Gjithashtu, vendimi i 23 marsit i gjykatësit Kuçi dallon me dy vendimet e tjera meqenëse nuk është as i nënshkruar nga ai e as nga bashkëpunëtori profesional dhe nuk ka vulë të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

 

 

 

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika