Lansohet platforma për monitorimin e të drejtave të fëmijëve

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, është lansuar Platforma për Monitorimin e të Drejtave të Fëmijëve.

UNICEF-i në Kosovë, njofton se platforma është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për fuqizimin e sistemit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në gjurmimin e progresit të arritur për fëmijët dhe sigurimin e një tabloje gjithëpërfshirëse të situatës së fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë.

Për këtë qëllim, UNICEF-i thotë se platforma ofron të dhëna për treguesit kryesorë për të drejtat e fëmijëve në Kosovë dhe përshkrime të angazhimit institucional për të përmirësuar jetën e fëmijëve.

Këto u thanë gjatë një takimi të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve të kryesuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë.

“Është arritur shumë në lidhje me realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, por mbetet shumë e rëndësishme që qeveria të vazhdojë të ketë vëmendjen dhe të zotohet për fëmijët më të cenueshëm dhe të përjashtuar, në veçanti fëmijët me aftësi të kufizuara. Në ditën e fëmijëve, UNICEF-i i bën thirrje Qeverisë që ta finalizojë dhe aprovojë Projektligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara. Ky ligj e ka mbështetjen e plotë të UNICEF-it, mbështetjen e të gjitha agjencive të OKB-së dhe mbështetjen e shumicës së organizatave të shoqërisë civile që punojnë me persona me aftësi të kufizuara”, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Gjithashtu theksohet se pjesmarrës në takim kanë qenë fëmijët, të cilët patën mundësinë t’i ndajnë kërkesat e tyre kryesore për realizimin e të drejtave të tyre me zëvendësministrat e ministrive të linjës, përfaqësuesit nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, Ushtruesin e Detyrës së Udhëheqësit, Benjamin Fisher, Drejtoreshën e KOMF, Donjeta Kelmendi, dhe organizata të ndryshme për mbrojtjen e fëmijëve.

Në njoftim u tha se tridhjetë e katër komunat kanë krijuar Ekipet për të Drejtat e Fëmijëve të udhëhequra nga kryetarët e komunave, një përpjekje për bashkëpunim e iniciuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Përveç kësaj, me mbështetjen e UNICEF-it, u tha se në tetë komunat, kuvendet komunale kanë zhvilluar dhe miratuar Planet e Veprimit të Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve.

Këto plane sipas UNICEF-it ofrojnë udhëzim strategjik, ndërhyrje dhe burime për shërbime komunale cilësore dhe gjithëpërfshirëse që mbështesin mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

UNICEF-i në njoftimin thotë se në ditën ndërkombëtare të fëmijëve është gjithashtu e rëndësishme që të theksohet nevoja për adresimin e krizave globale të shkaktuara nga ndryshimi klimatik, ndotja mjedisore dhe humbja e biodiversitetit pasi që fëmijët janë më të cenueshmit dhe meritojnë të mbështeten me lëvizje globale që janë të fokusuara në parandalimin e ngrohjes së mëtejshme globale dhe zbutjen e efekteve më të rënda të tyre.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika