Miratohet mes akuzash Projektligji që kundërshtohet nga veteranët

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim Projektligjin për Pagën Minimale. Pro votuan 68 deputetë, kundër nuk kishte e abstenuan 6. Nga komunitetet, deputetët e Listës Serbe votuan pro, kurse abstenuan ata të grupit multietnik. Projektligji u miratua mes akuzash ndërmjet pushtetit e opozitës, dhe forcave të shtuara policore brenda dhe jashtë Kuvendit

Shumica parlamentare në Kuvend si rrallë herë ka qenë tamam e tillë të martën.

Pas dy dështimeve të kaluara, në tentimin e tretë, Lëvizja Vetëvendosje arriti ta miratojë në lexim të parë projektligjin i cili i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Por, ky veprim nxiti kundërshtime e akuza.

Pro projektligjit i cili nuk i përfshin veteranët e UÇK-së në rritjen e pagës minimale votuan 68 deputetë, kurse abstenuan nëntë deputetët e grupit multi etnik.

Por, iniciativa ligjore nuk u mbështet vetëm nga partia në pushtet. Pro projektligjit që kundërshtohet nga veteranët, votoi edhe Lista Serbe.

Kurse, me vendimin e partisë së tij nuk u pajtua sërish deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli.

Ish-ushtari i UÇK-së, pasi nuk mori fare pjesë në votim, në shenjë pakënaqësie u largua nga seanca.

Më pas akuzoi LVV-në për bashkëpunim me deputetët serbë.

Kurse seancën nga fillimi e bojkoti PDK-ja.

“Në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Memli Krasniqi

Rezultati i votimit e nxori në konferencë të jashtëzakonshme kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai hodhi akuza të rënda në drejtim të pushtetit.

“Sot është një ditë e çuditshme në Kuvend. Edhe Rrahmon Morina ua kish marrë lakmi sot Konjufcës dhe Kurtit. Sot e kemi parë një fitore të fëmijëve të UDB-ës, e përkrahur edhe nga votat e Listës Serbe”, ka thënë kryetari i AAK-së,  Ramush Haradinaj.

Ramush Haradinaj

Gjatë kësaj kohe Kuvendi ishte i mbushur me policë.

Brenda hollit të legjislativit zunë vend policë me rroba civile, kurse jashtë tij zbarkoi Njësia Speciale.

Kur u kuptua se veteranët nuk do të protestojnë gjatë ditës, forcat policore u larguan.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve, para gazetarëve doli Mimoza Kusari – Lila.

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, mohoi se kanë kërkuar votat e Listës Serbe.

Ajo akuzoi PDK-në për një bashkëpunim të tillë me deputetët serbë për të dëmtuar pozicionin e Qeverisë.

Mimoza Kusari-Lila

“Grupi Parlamentar i LVV-së ka diskutuar vetëm me grupin multietnik. Fatkeqësisht në mungesë të PDK-së, ata e dërguan Listën Serbe që t’i japin këtë konotacion i cili pastaj u përcjell apo është përcjellë edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre”, ka thënë shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Projektligji, sipas Kusari – Lilës do të miratohej edhe pa votat e Listës Serbe.

Ndër të tjerash, gjatë seancës, Kuvendi emëroi Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili i hap rrugë funksionalizimit të Autoritetit të Konkurrencës.

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika