Policia serbe largon protestuesit prej dy stacioneve hekurudhore në Beograd

Rreth orës 5:30 të mëngjësit të së dielës, forcat policore të Serbisë i kanë larguar protestuesit që kanë bllokuar dy stacione hekurudhore në qendër të Beogradit, qysh prej mbrëmjes së 10 gushtit.

Ata i kanë bllokuar stacionet hekurudhore “Beograd qendër – Prokop” dhe “Novi Beograd”, pasi kanë mbajtur një protestë në qendër të kryeqytetit serb, kundër planeve për mihje të minierës së litiumit.

Një protestues i ka thënë agjencisë së lajmeve Beta, se gjatë intervenimit, zyrtarët policorë kanë përdorur mburoja për t’i larguar protestuesit prej stacionit policor “Beograd qendër – Prokop”.

Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se “në përputhje me ligjet e Serbisë dhe fuqitë ligjore”, është rikthyer trafiku hekurudhor.

Mes tjerash, është bërë e ditur se policia ka nisur proces penal kundër të gjithë pjesëmarrësve, për pengim të trafikut publik ndërkombëtar dhe rrezik të sigurisë së qytetarëve.

Në protestën e 10 gushtit, protestuesit fillimisht kanë nisur marshin në qendër dhe më pas janë nisur drejt urës Gazella.

Atje janë ndarë në dy grupe dhe janë nisur drejt stacioneve hekurudhore.

Mijëra persona mbledhur në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi Qeveria nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon mihjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë, prej kompanisë Rio Tinto.

Aktivisti dhe njëri prej organizatorëve të protestës, Zllatko Kokanoviq, ka thënë më 10 gusht se bllokadat do të zgjasin derisa të miratohet kërkesa për një ligj që ndalon eksploatimin e borit dhe litiumit.

Sipas tij, bllokadat do të organizohen në tri deri në pesë pika tjera, nëpër qytete të ndryshme në Serbi.

Pas protestës së 10 gushtit, Rio Tinto ka vlerësuar se “është duke u kryer fushatë intensive e dezinformimit kundër projektit Jadar, përmes së cilës po përhapen lajme të rreme dhe pretendime të pavërteta, kinse projekti do të ketë ndikim shkatërrues në ambient dhe në shëndetin e njerëzve”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë tjerë të lartë kanë thënë se synimi kryesor i protestës është “rrëzimi i Qeverisë”.

Vuçiq ka folur vazhdimisht me tone pozitive për projektin “Jadar”, dhe ka thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën më 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”.

Më 6 gusht, ministri serb i Shëndetësisë, Zoran Lonçar, e ka prezantuar një ekip të ekspertëve shëndetësorë, të cilët, sipas tij, do të vlerësojnë ndikimin e minierës së litiumit te shëndeti i njerëzve.

Disa ekspertë vendorë dhe të huaj vlerësojnë se procesi i eksploatimit të litiumit përcillet me pasoja në ambient, si dhe me ndotje të ujit dhe tokës./Radio Evropa e Lire

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika