Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të partive politike për vitin 2024.
Këto të dhëna janë të paauditura dhe mund të ndryshojnë gjatë procesit të auditimit.
Sipas raporteve, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur të hyra totale prej 2,337,168 euro, ndërsa shpenzimet e saj për vitin 2024 kanë arritur në 1,805,296 euro. Krahasuar me vitin 2023, të hyrat e partisë ishin 2,000,750 euro, ndërsa shpenzimet 1,384,154 euro.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar të hyra prej 1,034,134 euro, ndërsa shpenzimet e saj për vitin 2024 kapën vlerën e 938,548 eurove.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur të hyra totale prej 643,047 euro, ndërsa ka shpenzuar 594,398 euro. Në vitin 2023, të hyrat e LDK-së ishin më të larta, duke arritur 723,169 euro, ndërsa shpenzimet ishin 431,824 euro.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka raportuar 325,058 euro të hyra, por shpenzimet e saj kanë qenë shumë më të larta, duke arritur në 907,796 euro për vitin 2024.
