Remzi Ejupi, ish-kryetari i FC Prishtina, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke thënë se kjo e fundit “nuk ka guxim” t’i licencojë klubet në përputhje me kriteret ligjore dhe standardet ndërkombëtare.
Në një postim në Facebook, Ejupi u shpreh se prej pranimit në UEFA e FIFA, Federata ka dështuar t’i zbatojë kriteret e Ligjit për Sport, ndërsa licencimi i klubeve po bëhet vetëm formalisht. Sipas tij, për arsye të interesave të brendshme dhe ruajtjes së “qetësisë” me klubet, nuk po kërkohet respektimi i kritereve financiare, organizative dhe profesionale.
“Federata s’ka guxim t’i licencojë klubet. Me këta njerëz të padijshëm s’mund të kemi suksese. Klubet zhvillojnë garë në Superligë pa licencim të denjë, ndërkohë që talentet vendore nuk marrin asnjë mbështetje,” shkroi Ejupi.
Ai po ashtu kritikoi FFK-në për moskujdes ndaj grupmoshave të reja, duke theksuar se nuk ka kufizime për numrin e lojtarëve të huaj, gjë që sipas tij dëmton zhvillimin e talenteve vendore. “Për të mbështetur gjeneratat e reja, në çdo lojë duhet të lejohen maksimum dy lojtarë të huaj,” theksoi ai.
Një tjetër pikë e ngritur nga Ejupi ishte moszbatimi i Ligjit për Sponsorizim, i cili sipas tij është më i miri në rajon, por që po keqpërdoret. Ai theksoi se klubet që respektojnë ligjin dhe i nënshtrohen Administratës Tatimore duhet të përfitojnë maksimalisht nga ky ligj.
Ndër të tjera, Ejupi u ndal edhe te rënia e shikueshmërisë në futbollin kosovar, duke e lidhur këtë me “keqpërdorimin e të drejtave televizive” dhe skandalet e njëpasnjëshme që sipas tij po dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit në vend.
“Futbolli është i kapur. Me këtë njerëz që janë duke e udhëhequr futbollin, vështirë se do të kemi sukses në një të ardhme të afërt,” përfundoi Ejupi, duke përmendur edhe “lojën e dyshimtë me Maqedoninë e Veriut” si shembull të dështimeve aktuale.