Më shumë se 800 persona kanë humbur jetën dhe rreth 3.000 janë plagosur nga një tërmet i fuqishëm që goditi Afganistanin lindor, njoftuan autoritetet të hënën.
Zëdhënësi i Qeverisë talibane, Zabiullah Mujahid, tha se provinca më e prekur është Kunar, ku ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja. Vetëm në një fshat janë gjetur të paktën 30 viktima, por shifrat pritet të rriten, pasi bëhet fjalë për një zonë të thellë malore me fshatra të shpërndarë.
“Numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por për shkak të terrenit të vështirë, ekipet tona janë ende në punë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë talibane të Shëndetësisë, Sharafat Zaman.
Sipas raporteve, tre fshatra në Kunar janë shkatërruar plotësisht, ndërsa shumë të tjerë kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Tërmeti me magnitudë 6 goditi në mesnatë, në një thellësi prej vetëm 8 kilometrash, duke shembur shtëpitë prej balte dhe guri në kufi me rajonin Khyber Pakhtunkhwa të Pakistanit. Vetëm 20 minuta më pas u regjistrua një tjetër lëkundje me magnitudë 4.5, e ndjekur nga një tjetër prej 5.2, sipas Qendrës gjermane për Kërkime në Gjeoshkenca (GFZ).
Qeveria talibane i ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare për ndihmë urgjente. Në një postim në platformën X, ajo theksoi se tërmeti ka shkaktuar “humbje jetësh dhe dëme materiale në disa provinca lindore”. Një banor i Nangarharit i tha Radios Evropa e Lirë se “shtëpitë e njerëzve janë rrafshuar” dhe se ndihmat në ushqime e paketa shëndetësore janë të domosdoshme.
Fatkeqësia ka ndodhur vetëm pak ditë pasi provincat Nangarhar dhe Kunar u përballën me përmbytje të rënda që morën jetën e të paktën pesë personave, duke shkaktuar rrëshqitje dheu, dëmtime infrastrukturore dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit mes Pakistanit dhe Afganistanit.
Afganistani, i vendosur në vargmalin Hindu Kush, goditet shpesh nga tërmete shkatërrimtare. Viktimat zakonisht janë të larta për shkak të ndërtimeve të dobëta, infrastrukturës së brishtë dhe vështirësisë për të dërguar ndihma në zonat e thella malore.