Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, bëri ndryshime në kabinetin e tij qeveritar të premten, pasi zëvendëskryeministrja, Angela Rayner, dha dorëheqjen për shkak të një gabimi tatimor gjatë blerjes së një banese.
Starmer bëri ndryshim të madh dhe të detyruar të kabinetit qeveritar pas 14 muajve të vështirë në detyrë, gjatë të cilëve popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm.
Ministri i Jashtëm, David Lammy, u emërua zëvendëskryeministër në vend të Angela Raynerit, si dhe e mori edhe postin e ministrit të Drejtësisë.
Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, e mori postin e ministres së Jashtme, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Shabana Mahmood, u emërua ministre e Brendshme.
Rayner shkeli standardet etike të ministrave
Këto ndryshime u bënë pasi Rayner paraqiti dorëheqjen e saj te Starmeri, sepse një hetim i pavarur gjeti se ajo nuk kishte përmbushur standardet etike të kërkuara për ministrat e Qeverisë britanike në lidhje me blerjen e fundit të një banese në Hove, në jug të Anglisë.
Hetimi arriti në përfundimin se ajo duhej të kishte kërkuar këshilla më të hollësishme, edhe pse kishte vepruar me mirëbesim.
“Marr përsipër përgjegjësinë e plotë për këtë gabim”, shkroi Rayner në letrën e saj të dorëheqjes drejtuar Starmerit.
“Dua të përfitoj nga ky rast për të përsëritur se kurrë nuk ka qenë qëllimi im të bëj diçka tjetër përveçse ta paguaj shumën e duhur”, shtoi ajo.
Në përgjigje, Starmer shprehu keqardhje, por tha se Rayner e mori vendimin e duhur.
“Nuk kam gjë tjetër veçse admirim për ty dhe respekt të madh për arritjet e tua në politikë”, shkroi Starmer.
Rayneri është anëtare jashtëzakonisht e njohur e Partisë Laburiste dhe shihej nga shumë si pasardhëse e mundshme e Starmerit.
Përveç dorëheqjes si zëvendëskryeministre dhe ministre, Rayner dha dorëheqjen edhe si nënkryetare e partisë, gjë që nënkupton se anëtarët do të duhet të zgjedhin dikë të ri.
Starmer shpreson që këto ndryshime të guximshme do t’i japin atij mundësinë ta rimarrë kontrollin e agjendës politike pas ditësh të tëra spekulimesh për të ardhmen e Raynerit dhe muajsh trazirash për administratën e tij.
Qeveria e tij ka pësuar një rënie të fortë të mbështetjes që prej fitores së madhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, pas një vargu gabimesh në reformën e mirëqenies dhe rritjes së shqetësimeve publike për emigracionin.
Rayner do të mbetet ligjvënëse në Britani, por në ulëset e pasme të Parlamentit.
Në Mbretërinë e Bashkuar vendosen tarifa për blerjen e pronave, ndërsa tarifat janë më të larta për shtëpitë më të shtrenjta dhe banesat dytësore.
Raportet sugjerojnë se Rayner kurseu gati 54.000 dollarë duke mos paguar taksën përkatëse për blerjen e banesës në vlerë rreth 1 milion dollarë.
Rayner, 45 vjeç, kishte shpjeguar se “rrethanat e ndërlikuara të jetesës së saj”, që lidhen me divorcin në vitin 2023 dhe faktin që djali i saj ka “aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës”, ishin arsyeja pse kishte dështuar të paguante taksën përkatëse.
Në letrën e dorëheqjes, Rayner tha gjithashtu se duhej të “merrte parasysh ndikimin e madh që presioni i vazhdueshëm i mediave po ka mbi familjen time”./RadioEvropaeLirë