Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së hënës në Podujevë, ku një person ka humbur jetën.
Sipas raportit 24-orësh, aksidenti ka ndodhur mes një kamioni dhe një automjeti. Pas përplasjes, kamioni ka goditur edhe shtatë vetura të parkuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i kamionit – shtetas i Serbisë – ka vdekur. Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.