Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Kryeministri britanik, Keir Starmer, kanë nënshkruar një marrëveshje të re partneriteti teknologjik midis dy vendeve.
Gjatë fjalës së tij, Trump e përshkroi ekonominë e SHBA-së si “potencialisht më të fortën që ka pasur ndonjëherë” dhe vuri në dukje se të gjitha kompanitë dëshirojnë të operojnë në vendin e tij.
Trump theksoi rëndësinë e lidhjeve mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke i cilësuar si “të paçmuara” dhe një “trashëgimi të bukur”, dhe shtoi se marrëdhënia midis dy qeverive po forcohet më shumë se kurrë.
Ai gjithashtu falënderoi udhëheqësit e biznesit të pranishëm dhe vuri në dukje se Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që ka bërë një marrëveshje tregtare me SHBA-në këtë vit.
Presidenti Trump theksoi se nuk ka “partneritet më të natyrshëm në botë” dhe se marrëveshja e re do të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve industriale të të dy vendeve, gjë që është e rëndësishme për mbrojtjen.
Ai e përfundoi fjalimin duke falënderuar Starmer për “punën e palodhur” dhe duke e cilësuar si një “nder” të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Gjatë vizitës së tij të dytë shtetërore në Mbretëri, Trump falënderoi gjithashtu Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla për një “mbrëmje fantastike”./BBC