Pamjet nga arkivat janë të vetmet dokumente që tregojnë sfidën me të cilën u përball familja e Naser Çunakut në qershor të vitit 2023.
Vërshimet nga shirërat e mëdha atë vit kishin goditur Podujevën e fshatrat e saj, një prej tyre edhe shtëpitë e fshatit Llugë ku banon Çunaku.
Dy vite pas, atë ditë ai e ka ende të freskët.
“E shoh krejt ujë, oborri plot ujë veç kqyrsha a po hin mrena në shtëpi. Po i nij po bërtasin lopët, kam pas veç dy. Për me hi në stallë me shku mrena u dufke, as qizme as kurgjo, uji deri këtu, një meter e diçka po. Kur shkoj, e kishin qu lopët kryt, ujë plot”, ka thënë Çunaku.
Niveli i ujit kishte qëndruar kështu për katër ditë duke e dëmtuar ushqimin e bagëtive, traktorët e hidroforin.
Me largimin e ujit, Çunaku ishte vizituar nga zyrtarët komunal për të përcaktuar një vlerë të dëmeve.
Por dy vite pas, ato mjete nuk i janë ekzekutuar.
“Janë kanë, kanë marrë shënime, mas do dite e kanë thirrë djalin, i kanë thanë na e sjell numrin e xhirollogarisë. E ka qu, sot e kësaj dite kurrë pare marrë s’kam për dëme. Kam dëgju që dikush ka marrë, dikush s’ka marrë”, ka shtuar Çunaku.
Çunakut i ishte caktuar rreth 600 euro shuma e kompensimeve megjithatë, ai thotë se nuk do e kishte problem mosekzekutimin e tyre por të paktën, të merreshin masa parandaluese për vërshime të tjera potenciale.
“Ato pare çka i jep le të na maron uron, le ta zgjidh problemin sot e një kohë të gjatë, ajo është më e drejtë e jo çdo vjet kur e ki problemin, nuk është zgjidhje ajo, urën le të na e ndreq…”, ka shtuar Çunaku.
Se kompensimet nuk janë ekzekutuar e kanë konfirmuar edhe të dëmtuar të tjerë.
Televizioni ka provuar të marrë një përgjigje nga kryetari aktual i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm në telefon.