Vëmendja në ndeshjen kualifikuese drejt Kupës së Botës mes Serbisë dhe Shqipërisë do të jetë e madhe, ndaj UEFA i ka kërkuar vendit pritës të marrë masat e nevojshme, në mënyrë që të mos kemi një përsëritje të ngjarjes së vitit 2014, ku fusha u kthye në arenë boksi.
Për këtë arsye është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve, ku është arritur në përfundimin se asnjë biletë për këtë përballje nuk do të jetë në shitje. Pra, tifozët këtë herë do të përzgjidhen nga Federata Serbe dhe bëhet fjalë për bashkëpunëtorë të tyre.
“Pjesëmarrja në tribuna do të sigurohet duke shpërndarë bileta për komunitetin e futbollit, përmes shpërndarjes te federatat rajonale, klubet, nxënësit e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre, organizatat profesionale të futbollit, sponsorët zyrtarë dhe të ftuarit e FSS-së, përfaqësuesit e akredituar të medias, si dhe ekipet mjekësore dhe të tjera të nevojshme për zbatimin e ndeshjes”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Federatës Serbe.
E gjitha kjo ka ndodhur pasi Serbia deklaroi se e ka të pamundur të garantojë rendin dhe sigurinë për këtë sfidë, e cila fillimisht u zhvendos nga Beogradi në Leskovac. FIFA ka dërguar dy oficerë sigurie në Leskovac, të cilët do të analizojnë situatën atje dhe do të vlerësojnë nëse është e përshtatshme për zhvillimin e një ndeshjeje futbolli.
Kujtojmë që në këtë përballje nuk do të ketë as tifozë shqiptarë, pasi janë të dënuar./Euronews.