Avokati Arbër Jashari ka bërë thirrje që personat të cilët kanë kënduar edhe për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, duhet të mos iu lejohet hyrja brenda shtetit tonë.
Jashari kështu ka shkruar teksa ka reaguar ashpër rreth asaj që Lista Serbe ka marrë guximin ta sjellë këngëtaren pro-ruse “Breskvica” në një koncert në Mitrovicë.
“Angjella Ignjatoviq, e njohur si ‘Breskvica’, një nga interpretueset e këngës shumë të kontestuar “Gnezdo orlovo” (Foleja e shqiponjës), është ftuar sot të marrë pjesë në një aktivitet elektoral të Listës Serbe, i paralajmëruar të mbahet në Mitrovicë. Për ata që nuk e dinë: kjo këngë ishte propozuar për të përfaqësuar Serbinë në Eurovision 2024, dhe përmban mesazhe të koduara që glorifikojnë rikthimin e Serbisë në Kosovë dhe mbështesin narrativën e mohimit të gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit. Kosova është një shtet demokratik, që garanton dhe promovon të drejtat dhe liritë themelore, i ndërtuar mbi vlerat më të larta perëndimore”, ka shkruar Jashari.
Avokati ka theksuar se krejt kjo narrativë përkrahet hapur nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse.
“Megjithatë, në një shtet demokratik nuk do te duhej të ketë hapësirë për ata që këndojnë për rikthimin e ushtrisë serbe, apo që me tekstet, qëndrimet dhe mesazhet e tyre nxisin urrejtje, përçarje dhe tension ndëretnik — një narrativë kjo e përkrahur hapur nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse. Kosova nuk mund e as nuk duhet të bëhet skenë propagande për ata që e mohojnë vuajtjen, lirinë dhe ekzistencën e saj. Ketyre personave do të duhej t’iu ndalohej hyrja në Republiken e Kosoves”, përfundon shkrimin Jashari.