Kryetari i Istogut dhe kandidati i LDK-së për një mandat të ri, Ilir Ferati, ka prezantuar projektet kryesore që do të realizojë nëse mbetet në krye të komunës edhe për katër vitet e ardhshme.
Ai në Debat Plus, tha se gjatë këtij mandati janë realizuar 12 projekte me vlerë totale prej 23 milionë eurosh.
“Kolektivi kryesor për trajtimin e ujërave të zeza, me vlerë 4.2 milionë euro, unaza e qytetit, me vlerë 3.8 milionë euro, që çliron trafikun dhe lehtëson lëvizjen, Elektrifikimi i bjeshkës përmes interesit publik, dhe rruga mbi lumin e Istogut, që kthehet në atraksion e shteg ecje por mbi të gjitha mundësi zhvillimi ekonomik për krejt ato prona që janë përmbi atij lumi. Dhe pjesa e trajtimit të lumit të Istogut që nuk është trajtuar asnjëherë prej kur është hapur së pari atëherë”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu ai ka cekur edhe trajtimin e lumit të Istogut, që sipas tij nuk ishte trajtuar më parë.
Ferati theksoi se prioritet i tij ka qenë gjithmonë zhvillimi i turizmit dhe investimet kapitale në territorin e komunës.
Ai ka shtuar se besimi i qytetarëve në vitin 2021 ka qenë “nderi më i madh” për të dhe se në total, duke i mbledhur të gjitha investimet, vlera arrin pothuajse 28 milionë euro.