Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur rinumërimin e fletëvotimeve të 16 kutive të votimit, ku pesë nga to janë për kryetarë të Komunave, ndërsa 11 të tjera për Kuvende Komunale.
Në mbledhjen e KQZ-së anëtari i Lëvizjes Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi ka bërë një thirrje për Prokurorinë që t’i hetojnë vendvotimet me asistencë.
“Ftoj Prokurorinë që t’i hetojë rastet me asistencë rrënjësisht, sepse nuk është e mundur që në një qytet të ketë 10% të votimeve me asistencë”, tha ai.
Sipas Rregullores Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kutia e votimit rekomandohet për rinumërim në rastet kur konstatohet mospërputhje mes nënshkrimeve në listën e votuesve dhe numrit të fletëvotimeve në kuti, pra kur numri i nënshkrimeve është më i madh ose më i vogël se numri i fletëvotimeve.
Në këtë mbledhje, KQZ vendosi edhe për dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Ky miratim u bë për të mundësuar zhvillimin e votimit jashtë Kosovës.