Pse mijëra kompani iraniane janë regjistruar në Gjeorgji?

Pothuajse 13.000 kompani iraniane janë regjistruar në Gjeorgji – në vetëm disa adresa – duke rritur shqetësimet se Teherani po e përdor shtetin e Kaukazit Jugor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.

Bizneset iraniane të regjistruara në Gjeorgji janë të përfshira në gjithçka, duke nisur nga ndërtimi e logjistika, deri te mikpritja dhe madje edhe klubet e natës, thuhet në të dhënat publike që i ka parë Shërbimi gjeorgjian i Radios Evropa e Lirë.

Numri i kompanive iraniane të regjistruara në Gjeorgji është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke përkuar me vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Republikës Islamike lidhur me programin e saj bërthamor.

Këto masa vendosin kufizime ndaj individëve të huaj, kompanive dhe qeverive, duke ua ndaluar që të dërgojnë apo pranojnë fonde nga Irani. Shkelësit mund të përballen me dënime të ashpra financiare dhe me ndjekje penale.

Në korrik, organizata joqeveritare gjeorgjiane, Civic IDEA, publikoi një hulumtim përmes së cilit akuzoi partinë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane se po u lejonte bizneseve iraniane – disa të lidhura me forcat e armatosura të Iranit – që të përdorin Gjeorgjinë si “një pikë strategjike transiti” për të shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe për të dërguar para në Teheran.

Autoritetet gjeorgjiane nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment.

Tregtia, sanksionet dhe Gjeorgjia

Deri në qershor të këtij viti, mbi 12.800 biznese iraniane ishin të regjistruara në Gjeorgji, sipas të dhënave publike. Pothuajse të gjitha këto biznese janë plotësisht në pronësi iraniane. Numri i saktë i kompanive iraniane që operojnë aktualisht në Gjeorgji është i paqartë.

Kompanitë iraniane nisën të jenë aktive në Gjeorgji rreth vitit 2009. Nga viti 2012 deri më 2019 kishte një rritje të regjistrimeve të kompanive iraniane në Gjeorgji, që përkon me zbatimin e sanksioneve të ashpra ndërkombëtare ndaj Teheranit.

Në atë kohë, raportimet mediale kishin lidhur disa kompani amerikane me Gardën Revolucionare Islamike – që është një degë e fuqishme e forcave të armatosura iraniane dhe që luan një rol të rëndësishëm në ekonomi – të sanksionuar nga SHBA-ja, duke sugjeruar se këto biznese i ofronin Teheranit qasje të drejtpërdrejtë në tregjet perëndimore.

Gjeorgjia ashpërsoi rregullat bankare për iranianët dhe përkohësisht pezulloi udhëtimet pa viza. Por, investimet iraniane në Gjeorgji rinisën pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore, veçmas në patundshmëri, transport dhe ndërtim.

Vendimi i Uashingtonit për të rivendosur sanksionet e ashpra ndaj Teheranit më 2018 bëri pak për të dekurajuar investimet iraniane në Gjeorgji.

Investimet iraniane kanë përkuar me rritjen e tregtisë midis Tbilisit dhe Teheranit. Në mes viteve 2022 dhe 2024, tregtia dypalëshe u rrit për 23 për qind. Importet nga Irani arritën në rreth 30 milionë dollarë më 2024, kryesisht në produkte bujqësore dhe ushqimore. Në disa sektorë, Irani ka një pjesë të konsiderueshme të furnizimeve të brendshme të Gjeorgjisë, me 13 për qind të importeve të gjalpit, 45 për qind të rrushit të thatë dhe 85 për qind të hurmave.

Vlera e importeve iraniane të naftës dhe produkteve të tij pothuajse u trefishua nga 683.000 dollarë më 2020 në rreth 2 milionë më 2024. Kjo ndodhi pavarësisht paralajmërimit të presidentit amerikan, Donald Trump, në maj se çdo shtet që tregton naftë iraniane do të përballej me sanksione dytësore.

Në ueb-faqet tregtare iraniane, që janë të qasshme, bizneset hapur inkurajohen që të regjistrojnë kompani në Gjeorgji, veçmas pranë porteve, për të ulur kostot dhe për riorientuar eksportet. Disa madje përshkruajnë strategji për të ribrenduar mallrat iraniane si “Made in Georgia” para se t’i nisin drejt tregjeve perëndimore.

Adresa të dyshimta

Mijëra biznese iraniane në Gjeorgji janë regjistruar vetëm në disa adresa, përfshirë në kryeqytet, Tbilisi, por edhe në disa fshatra të largëta, thuhet në të dhënat zyrtare.

Pothuajse 700 kompani iraniane janë regjistruar në një ndërtesë të vetme banimi në Tbilisi, pa asnjë gjurmë se ka aktivitet në atë vend. Aktivitetet e deklaruara të këtyre bizneseve variojnë nga logjistika e turizmi, deri te bizhuteritë, blegtoria dhe teknologjia e informacionit. Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi fizike që mund të vërtetojë ekzistencën e këtyre kompanive.

Kjo është një nga ndërtesat në Tbilisi ku kanë adresat kompanitë iraniane të regjistruara në Gjeorgji.

 

Një model i ngjashëm vërehet edhe në Dunta, një fshat i largët me rreth 100 banorë në perëndim të Gjeorgjisë. Në këtë fshat, rreth 800 biznese iraniane janë regjistruar. Shumica e këtyre kompanive janë të përfshira në transportimin e mallrave, disa prej të cilave marrin leje për transport ndërkombëtar nga autoritetet, sipas të dhënave publike.

Leje e lëshuar nga autoritetet në Gjeorgji për transportimin ndërkombëtar të mallrave.

Ndërkaq, mbi 800 kompani iraniane janë të regjistruara në Untsa, një fshat me rreth 300 banorë në jugperëndim të Gjeorgjisë. Sipas të dhënave publike, adresat në këtë fshat janë përdorur edhe nga migrantët rusë që po synojnë të përfitojnë nga politikat e favorshme fiskale të Gjeorgjisë.

Kompanitë iraniane po ashtu kanë arritur të lidhin kontrata me shtetin gjeorgjian.

Qafrina LLC, e regjistruar më 2018 dhe në pronësi të shtetasit iranian Farzad Nouri, shiti sisteme CCTV te Banka Kombëtare e Gjeorgjisë, gjykatat në qytetin Kutais dhe te Bashkia e Tbilisit, sipas të dhënave për tenderët.

Projekt i përfuar i Qafrina LCC në një zonë të Tbilisit.

Një tjetër kompani në pronësi iraniane, Geo Tech, furnizoi me produkte higjienike – përfshirë letra higjienike – Ministrinë e Mbrojtjes, Hekurudhat e Gjeorgjisë, kompaninë e transportit të Tbilisit dhe disa institucione publike./Radio Evropa e Lirë 

Shija e redaktorit

Mes familjes dhe ushtrisë – Historitë e fëmijëve amerikanë që...

Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i NATO-s, përtej historisë në këtë hapësirë, shënojnë edhe një destinacion ku siguria dhe bashkëpunimi...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit...

Rreth 130 përfaqësues të 90 shteteve të ndryshme të botës do të qëndrojnë për disa ditë në Pejë. Kjo për shkak se Federata e Bjeshkatarisë...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare...

Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës (FBNSK) shënon një moment historik duke pritur për herë të parë në Kosovë Asamblenë e Përgjithshme...

Të fundit nga rubrika