Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar të premten se Izraeli duhet të detyrohet të respektojë premtimet e tij mbi armëpushimin në Rripin e Gazës përmes sanksioneve dhe ndalimit të shitjes së armëve.
Ai theksoi se Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbështetur Gazën.
“Izraeli duhet të detyrohet t’i mbajë premtimet e veta përmes sanksioneve dhe ndalimit të shitjeve të armëve. Po ndërmarrim hapa për ta arritur këtë dhe do të vazhdojmë”, tha Erdogan gjatë kthimit nga një vizitë në Gjirin Persik, shkruan Daily Sabah.
Erdogan ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera duhet të bëjnë më shumë për të detyruar Izraelin ta ndalë shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që Izraeli i zbaton plotësisht armëpushimin dhe marrëveshjen”.
Ai gjithashtu njoftoi se bisedimet mbi task-forcën për Gazën janë ende në zhvillim dhe se Ankara është e gatshme të ofrojë mbështetje të plotë për enklavën.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur rezervat e tij për një prezencë ushtarake turke në Gaza.
Që nga përshkallëzimi i dhunës më 7 tetor 2023, Turqia ka qenë ndër vendet më aktive në mbështetjen e popullit palestinez, duke ofruar ndihma humanitare masive, ndërmjetësim diplomatik dhe duke kërkuar llogaridhënie sipas ligjit ndërkombëtar.
Në nivel diplomatik, Ankara ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë Egjiptin, Katarin dhe SHBA-në, për të promovuar armëpushime dhe akses humanitar. Turqia ka mirëpritur çdo armëpushim të përkohshëm, duke theksuar se ai duhet të pasojë me ndihma të qëndrueshme humanitare dhe rindërtim të infrastrukturës.