Policia në Bavari ka sekuestruar vepra arti të falsifikuara nga Pablo Picasso, Rembrandt dhe Frida Kahlo në një bastisje në të gjithë Gjermaninë, Zvicrën dhe Litenshtajnin.
Autoritetet bavareze thanë se i dyshuari kryesor është një 77-vjeçar gjerman i cili, së bashku me 10 bashkëpunëtorë, përballet me akuza për konspiracion dhe mashtrim.
Autoritetet u bënë dyshuese kur i dyshuari kryesor u përpoq të shiste dy vepra gjoja autentike të Picasso-s. Më pas ai u përpoq ta shiste “De Staalmeesters”, një vepër e famshme e piktorit holandez Rembrandt, për 120 milionë franga zvicerane, shkruan Euronews, transmeton Dukagjini.
Piktura u sekuestrua gjatë bastisjeve të koordinuara të kryera më 15 tetor në disa lokacione. Gjatë bastisjeve, u gjetën dhe sekuestruan një numër i madh veprash arti të dyshuara si të falsifikuara, së bashku me dokumente, skedarë, telefona celularë dhe të dhëna në cloud.
Policia bavareze tha se i dyshuari kryesor u përpoq të shiste 19 vepra të tjera të falsifikuara, të dyshuara si nga artistë të famshëm botëror, për shuma midis 400,000 dhe 14 milionë euro.