Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas dështimit në krijimin e qeverisë “Kurti 3” u shpreh se interesi shtetëror sot mori pozitën e dytë.
Sipas tij, opozita primare pati inatet politike dhe jo interesat shtetëror, njofton Dukagjini.
“Pas një qeverie që përmbush mandatin deri në fund. Ka një kohë të gjatë prej datës 9 shkurt deri më tani dhe kryesisht me zvarritje të shkaktuar dhe bllokada të shkaktuara që i u pa dhe sot që u materializuara në formë të inateve dhe xhelozive politike ku partitë opozitare vendosën të barrikadohen dhe më të vlefshme e konsiderojnë që të votojnë kundër fituesit të zgjedhjeve dhe të pamundësojnë që fituesi i zgjedhjeve të qeverisë me vendin sesa të vendosin interesin shtetëror për para. Interesi shtetëror mori primatin e dytë, ndërsa primare për opozitën ishin inatet politike”, tha ai.
Tutje Murati u shpreh se në të kaluarën ka qenë më e mundur të ketë bashkëpunim, duke akuzuar se koalicionet janë lidhur përmes pozitave në ambasada.
“Opozita është ajo që na ka zvarritur tash e sa muaj. Ky është një paradoks në vetvete. Është tragjike për demokracinë e një vendi. Kemi një situatë ku modeli i bashkëpunimit që kemi ofruar ne është refuzuar. Ndoshta në të kaluarën ka qenë më e lehtë që të gjendet bashkëpunim përmes terminaleve doganore, përmes pozitave në ambasada të caktuara dhe përmes edhe ryshfeteve e korrupsioneve të tilla të ngjashme”, deklaroi Murati.
Mes tjerash, Murati tha se kanë ofruar edhe Qeveri pa Listën Serbe, parti të cilën partitë e tjera e prisnin deri në orët e vona t’ia votonin Qeverinë me instruksione të Beogradit.
“Kemi ofruar Qeveri pa Listën Serbe në të. Qeveri që nuk e pret Listën Serbe me orë të tëra derisa të vije nga Beogradi me instruksione që ka marrë nga atje si ta sabotoj Republikën e Kosovës. Kemi ofruar marrëveshje që nuk parasheh që në tre katër muajt e parë të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai.