Presidenti i Shteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u ka bërë thirrje udhëheqësve ushtarakë amerikanë të rifillojnë testimin e armëve bërthamore amerikane në mënyrë që të mbajnë ritmin me vendet e tjera si Rusia dhe Kina.
“Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, unë kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të fillojë testimin e Armëve tona Bërthamore në baza të barabarta”, shkroi Trump në mediat sociale pak para takimit me Presidentin Kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut.
“SHBA-të kanë më shumë armë bërthamore se çdo vend tjetër”, tha Trump.
Megjithatë testime të armëve bërthamore në Amerikë nuk janë bërë që nga viti 1992, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Trump denoncoi Rusinë për testimin e një rakete me energji bërthamore, e cila thuhet se ka një rreze veprimi të pakufizuar. Postimi i Trump të mërkurën në mbrëmje pranon “fuqinë e jashtëzakonshme shkatërruese” të armëve bërthamore, por Trump, mes tjerash, u shpreh se nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të përditësonte dhe rinovonte arsenalin e SHBA-së gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
Postimi i Trump nuk përfshinte detaje se si do të zhvilloheshin testet, por shkroi se “procesi do të fillojë menjëherë”.
Ky shënon një përmbysje të dukshme të një politike të gjatë amerikane. Testi i fundit i armëve bërthamore amerikane ishte në vitin 1992, përpara se ish-Presidenti republikan George HW Bush të lëshonte një moratorium ndërsa Lufta e Ftohtë mbaroi.
Rusia njoftoi gjatë fundjavës se kishte testuar me sukses dy armë të reja të afta të mbanin koka bërthamore.
Këto përfshinin një raketë që Kremlini tha se mund të depërtonte në sistemet mbrojtëse amerikane, dhe një dron nënujor të quajtur ‘Poseidon’, i aftë të godiste bregun perëndimor amerikan dhe të shkaktonte valë radioaktive të oqeanit.
Megjithatë, këto teste nuk përfshinin shpërthimin e armëve bërthamore.
Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), organizata amerikane e kërkimit, Kina, ka dyfishuar afërsisht arsenalin e saj bërthamor në pesë vitet e fundit dhe pritet të kalojë 1,000 armë deri në vitin 2030.
“Stoku bërthamor i SHBA-së është rreth 5,225 koka bërthamore, ndërsa Rusia ka afërsisht 5,580”, raportoi Shoqata e Kontrollit të Armëve.
Deklarata e Trump vjen gjithashtu rreth 100 ditë para skadimit të Traktatit të Ri për Reduktimin e Armëve Strategjike (New Start) në shkurt 2026 – traktati i fundit i mbetur i armëve bërthamore midis SHBA-së dhe Rusisë.
Marrëveshja kufizon çdo vend në 1,550 koka bërthamore në raketa të dislokuara të afta të kalojnë kontinentet.
Herën e fundit që SHBA-të testuan një bombë bërthamore ishte më 23 shtator 1992. Testi u zhvillua në një strukturë nëntokësore në shtetin perëndimor të Nevadës.