Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur kryetarët e partive politike në një takim konsultativ të premten në mesditë, në përpjekje për të zhbllokuar situatën politike që ka mbetur pezull për gati nëntë muaj pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Takimi do të mbahet në orën 12:00 në Presidencë.
Kjo nismë vjen pas dështimit të kandidatit të parë për kryeministër, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, për të siguruar shumicën e nevojshme të votave në Kuvend të dielën e kaluar.
Kurti, si përfaqësues i partisë fituese të zgjedhjeve, u mandatua nga Presidentja Osmani për të formuar qeverinë, por nuk arriti të fitojë mbështetjen e mjaftueshme parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja është e obliguar që brenda dhjetë ditësh nga dështimi i mandatarit të parë të caktojë një mandatar të ri për formimin e qeverisë.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Osmani do të ndërmarrë këtë hap, për shkak të mungesës së vullnetit politik ndërmjet partive për të krijuar një koalicion të qëndrueshëm qeverisës.
