Grabitja spektakolare e kryer në mes të ditës në Muzeun e Luvrit u krye nga kriminelë të vegjël dhe jo nga profesionistë të krimit të organizuar, ka deklaruar prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, duke përshkruar dy nga të dyshuarit si një çift me fëmijë.
Incidenti ndodhi dy javë më parë, kur hajdutët parkuan një kamion të vjedhur jashtë muzeut, përdorën një ashensor mobiljesh për të arritur në katin e parë dhe më pas hynë me forcë në një nga dhomat më të zbukuruara të Luvrit.
Më pak se shtatë minuta më vonë, ata u arratisën me skuterë, duke marrë xhevahire me vlerë rreth 88 milionë euro (76 milionë paund).
Mes bizhuterive të vjedhura janë një gjerdan me smerald dhe diamant, që Napoleoni I ia dhuroi gruas së tij të dytë, Marie Louise, dhe një diademë me 212 perla dhe rreth 2,000 diamante, që i përkisnin Eugénie-s, gruas së Napoleonit III. Megjithatë, bizhuteritë më të çmuara ende nuk janë gjetur.
Prokurorja Beccuau tha se të paktën një tjetër autor i krimit mbeti i lirë dhe theksoi se grabitësit duket se ishin amatorë, pasi gjatë arratisjes hedhën një pjesë të xhevahirit të çmuar dhe lanë pas vegla që mund të mbajnë gjurmë ADN-je.
Dy të dyshuarit kryesorë, një grua 38-vjeçare dhe një burrë 37-vjeçar, janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim. Burri akuzohet për vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal, ndërsa gruaja për bashkëpunim në vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal. Beccuau i përshkroi si një çift që kanë fëmijë së bashku. Ata kanë mohuar çdo përfshirje, ndërsa gruaja u shfaq në gjykatë e shqetësuar për fëmijët e saj dhe për veten.
Dy të tjerë janë arrestuar më parë: një algjerian 34-vjeçar që jeton në Francë që nga viti 2010 dhe një 39-vjeçar që ishte nën mbikëqyrje gjyqësore për vjedhje të rëndë. Të dy burrat janë akuzuar për vjedhje dhe komplot kriminal dhe kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre.
Të tre burrat e akuzuar kishin precedentë penalë për vjedhje, ndërsa dy nga të dyshuarit kishin qenë të dënuar së bashku 10 vjet më parë. Beccuau nuk përjashtoi mundësinë e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të tjerë.
Tre persona të arrestuar së bashku me çiftin më 29 tetor janë liruar pa akuza. Përsa i përket gjetjes së bizhuterive, prokurorja nuk dha detaje, duke përmendur sekretin e hetimit./TheGuardian