CIA rikthen operacionet sekrete në Amerikën Latine, shënjestër Venezuela dhe kartelet e drogës

Ashtu si në periudhat e mëparshme të ndërhyrjeve në Amerikën Latine, CIA raportohet se po luan sërish rol qendror në rajon, duke mbështetur Pentagonin në operacionet kundër Venezuelës dhe rrjeteve të trafikut të drogës.

Lëvizjet, sipas burimeve, janë ndërmarrë me urdhër të drejtpërdrejtë të ish-presidentit Donald Trump, ndërsa dokumente të rrjedhura së fundi kanë zbuluar detaje të planeve operative.

Sipas The Guardian, shërbimet amerikane të inteligjencës kanë marrë pjesë në fazën fillestare të sulmeve që çuan në shkatërrimin e disa mjeteve detare të dyshuara për kontrabandë, duke ofruar mbështetje në katër drejtime kryesore: analiza të të dhënave satelitore dhe identifikim të objektivave, përgjime dhe operacione në terren për mbledhje informacioni mbi trafikantët, gjurmim të motoskafeve dhe gjysmë-nëndetëseve, misione të mundshme për depërtim brenda elitës politike dhe ushtarake venezueliane.

Burime të Associated Press përmendin gjithashtu një plan të vitit 2024, i cili thuhet se u riaktivizua së fundmi: përpjekja për të rekrutuar pilotin personal të Nicolás Maduro-s, Bitner Villareal, që të devijonte aeroplanin presidencial drejt një vendi ku Maduro do të arrestohej. Piloti refuzoi ofertën, pavarësisht shpërblimit të premtuar.

Autoritetet në Caracas më pas akuzuan Uashingtonin për plane provokative, duke pretenduar se një anije e marinës amerikane, USS Gravely, do të goditej gjatë një ndalese në Trinidad dhe Tobago, për të krijuar justifikim për një sulm kundër Venezuelës.

Dokumentet e publikuara flasin edhe për një sulm kibernetik të CIA-s në fund të mandatit të parë të Trump-it, që synonte sistemet e sigurisë venezueliane – një skenar që mund të përsëritet paralelisht me operacione të flotës amerikane në Karaibe.

Mes planifikimeve përfshihen skenarë për:nxitje të një grushti shteti, rebelim brenda ushtrisë, destabilizim të jetës shoqërore, fushata propagandistike dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta.

Ndërkohë, në SHBA janë ngritur dyshime mbi objektivat e goditur detarë – 15 mjete të fundosura deri tani. Pas një séance të mbyllur, një deputete demokrate ka deklaruar se nuk ka gjithmonë siguri se cilat mjete janë goditur, deklaratë e hedhur poshtë nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Ai ka vendosur rregulla të rrepta komunikimi: ndalohet diskutimi publik për operacionet pa autorizim.

Konteksti aktual rikthen kujtimet e operacioneve të fshehta amerikane në Amerikën Latine gjatë viteve ’60-’70 – Operacioni Condor, rrëzimi i Salvador Allende-s në Kili, invazioni në Gjirin e Derrave, Grenada, Panama dhe skandali Iran-Contra.

Në qendër të historisë qëndron edhe fushata shumëvjeçare për eliminimin e Fidel Castro-s, me plane për helmim, sabotim dhe bashkëpunim me mafien, që shpesh lidhen me hetimet për vrasjen e John Kennedy-t.

Ndërsa situata evoluon, analistët thonë se rajoni po përjeton një rikthim të taktikave të “luftës së heshtur” – një lojë e errët e shërbimeve sekrete, ku operacionet sekrete, propaganda dhe presioni ushtarak ndërthuren për të formësuar balancat politike./Corriere della Sera

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika