Është një pjesë e bodrumit të repartit të Klinikës së Hemato-Onkologjisë e cila po shfrytëzohet për shërbim të terapisë të vetë siguruar, nga pacientët e kësaj klinike.
Ani pse shtretërit duket se janë në gjendje të mirë, për pacientët problem mbetet vet hapësira.
“Në një dhomë ka plasur uji, i kanë grumbulluar në një dhomë tjetër. Llug është. Plus ky vend është bodrum. Barnat çdo here e ma shumë kanë fillu me mungu. Se s’ka donacione e shteti s’po blen. Plus ajri është shumë i keq se bodrum me nejt njerëzit aty. Infermieret sa po mujn mir po e kryejnë punën po pak, dy infermier per dhjetra pacient. Qeto dy ilaçe s’jon. Kjo e dyta tash prej 7.5 e kishin bo 24.5.“- Ankuesi, Familjar i një pacienti.

Drejtoresha e kësaj klinike, Afërdita Ukimeraj nuk e ka komentuar arsyen e këtij veprimi gjersa ka deklaruar se asnjë pacientët nuk mbetet pa shërbim.
Mes të tjerash, Ukimeraj nuk ka mohuar as mungesën e barnave.
“Klinika e re e Hematologjisë është duke u ndërtuar dhe shpresojmë që sa më parë të përfundojë dhe të kemi mundësi që pacientëve tanë tu ofrojmë kushte sa më të mira dhe komode. Hapësira ku ofrohet Kimioterapia është hapësirë e ndarë e përshtatur për trajtimin e të sëmurëve me Kimioterapi. Është e renovuar, janë blerë shtretër të rinj. Shërbimi u ofrohet të gjithë pacientëve që kanë nevojë për trajtim. Disa pacientë marrin vetëm terapinë orale( tbl),subkutane( nënlëkurore) dhe shkojnë. Të tjerë qëndrojnë pak më gjatë(varësisht nga lloji i kimioterapisë),por askush nuk mbetet pa shërbim. Sa i përket mungesës së barnave ,shumica e barnave është e disponueshme, por është e vërtetë qe ka dhe disa barna që kohë pas kohe mungojnë. Ju lutem që për këtë të informoheni nga Barnatorja Qendrore e QKUK“, ka thënë Afërdita Ukimeraj – Drejtoreshës e Klinikës së Hematologjisë.
Për gazetarë të këtij sektori, marrja e terapisë në bodrume është e zakonshme gjersa mungesa e terapive, mbetet një mungesë përgjegjësie.
”Është një fatkeqësi e madhe që këta pacientë vazhdojnë të trajtohen në ato kushte me terapi të rënda por që fatmirësisht MSH është duke investuar në ndërtimin e ndërtesës së re rë kësaj klinike. Se di kur pritet të hyjë në funksion të pacientëve. Si në këtë klinikë ashtu edhe atë të Onkologjisë, barnat vazhdojnë të mungojnë, po rëndohet xhepat e qytetarëve që po detyrohen ti blejnë vet. MSH dhe SHSKUK duhet të kryejnë përgjegjësitë e veta. Bordi duhet të kërkojë përgjegjësi dhe të japë përgjegjësi në MSH e qeveri se pse mungojnë e aq më tepër që buxheti ekziston dhe mos të merren me justifikime të kota qysh e kanë zakon”, ka thënë Bujar Vitia – Gazetar i Shëndetësisë.
Televizioni ka pyetur edhe përfaqësues të barnatores qendrore lidhur me mungesat por të njëjtit, nuk i janë përgjigjur interesimit të Dukagjinit.
Njësoj, nuk është përgjigjur as Ministria e Shëndetësisë rreth procesit të klinikës së re si dhe hapave të ndërmarrë në mungesat e vazhdueshme të barnave.