I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka deklaruar se gjatë një takimi me zyrtarë të Hamasit, grupi militant palestinez kishte shprehur gatishmëri për t’u çarmatosur, vetëm disa orë para arritjes së armëpushimit të 9 tetorit.
Duke folur në Konferencën e Forumit të Biznesit Amerikan në Miami, Witkoff tha se Hamas kishte sinjalizuar gatishmëri për dorëzimin e armëve gjatë “takimit të famshëm” me Jared Kushner, këshilltarin e ish-presidentit Donald Trump.
“Hamasi gjithmonë ka lënë të kuptohet se do të çarmatoset. Ata e kanë thënë këtë — na e thanë drejtpërdrejt gjatë atij takimi të famshëm që Jared pati me ta”, ka thënë Witkoff.
Ai shtoi se nëse ky premtim mbahet, SHBA-ja ka përgatitur një plan zhvillimor të gjerë për Rripin e Gazës, i cili do të përfshijë “një program të madh punësimi dhe rindërtimi ekonomik”.
Megjithatë, qëndrimi publik i Hamasit mbetet i paqartë. Zyrtarë të grupit kanë shmangur pyetjet mbi dorëzimin e armëve, ndërsa burime arabe të cituara nga The Times of Israel thonë se Hamasi mund të jetë i gatshëm të heqë dorë vetëm nga armatimi i rëndë, por jo nga armët e lehta, diçka që Izraeli e sheh si të papranueshme.
Witkoff pohoi gjithashtu se SHBA-ja është në fazën e ngritjes së një “procesi të dekomisionimit dhe amnistisë për armët”, duke përfshirë një forcë ndërkombëtare sigurie që do të vepronte si ndërmjetëse për dorëzimin e armëve.
Në anën tjetër, Witkoff konfirmoi raportimet se Uashingtoni po ushtron presion ndaj Izraelit që të lejojë një kalim të sigurt për rreth 100 deri në 200 luftëtarë të Hamasit që ndodhen në tunelet nën qytetin Rafah, me kusht që të dorëzojnë armët e tyre.
Ky proces do të shërbente si “model” për programin më të gjerë të çarmatosjes.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu publikisht ka kundërshtuar idenë e një marrëveshjeje të tillë, por burime diplomatike thonë se Izraeli nuk e ka përjashtuar plotësisht mundësinë.
Megjithatë, disa zyrtarë izraelitë, përfshirë Shefin e Shtabit Eyal Zamir, kërkojnë që luftëtarët e Hamasit ose të dorëzohen në duart e ushtrisë, ose të eliminohen.
Në të kundërt, SHBA-ja frikësohet se një operacion i tillë ushtarak mund të minojë armëpushimin e brishtë në Gaza.