Koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve janë evidentuar dy raste penale që lidhen me procesin e votimit, përfshirë ndalimin e tre personave.
Në një intervistë për emisionin special të TV Dukagjini, Pula konfirmoi se në komunën e Fushë Kosovës janë ndaluar dy persona nën dyshimin për veprën penale “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Ajo shtoi se një rast tjetër është regjistruar në komunën e Pejës, ku një person është ndaluar për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”.
“Deri më tani nuk kemi pas ndonjë incident shumë të madh, i cili do të evidentohej si rast eklatant gjatë ditës së zgjedhjeve. Është rasti në Fushë Kosovë, tanimë i ditur. Që dy persona janë të ndaluar për veprën penale dhënie dhe marrë ryshfeti. Vepër e cila ndëshkohet prej 1 deri në 5 vjet burgim. Personat janë ndaluar, do të vazhdojnë hetimet ndaj tyre. Dha pastaj do të shohim epilogun e këtij rasti.
E kemi edhe një rast në Komunën e Pejës. Njëjtë e kemi për veprën penale cenimi i fshehtësisë së votimit. Dhe personi është i ndaluar për 48 orë. I cili është duke u verifikuar të gjitha rrethanat e këtij rast. Këto janë dy rastet penale, me tre persona, për të cilët do të vazhdojnë hetimet në ditët në vijim…”, ka thënë Pula.