Në kuadër të Ditës së Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe për të nderuar pjesëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR).
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, si dhe përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë.
Katërmbëdhjetë ushtarët britanikë që sakrifikuan jetën gjatë misionit në Kosovë u vlerësuan si simbol i miqësisë së përhershme dhe i lidhjes së fortë ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Presidentja Osmani theksoi se këta ushtarë do të nderohen në çdo përvjetor, si kujtesë e rrugës së vështirë drejt lirisë dhe si shenjë falënderimi për rolin vendimtar që Mbretëria e Bashkuar ka pasur në rrugën e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.