Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve preliminare të balotazhit, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke premtuar një qeverisje të ndershme e gjithëpërfshirëse.
Ai ka theksuar se kjo fitore i takon qytetarëve që, siç tha, nuk janë lodhur së kërkuari dinjitet dhe drejtësi.
Peci premtoi se asnjë ditë e mandatit të tij nuk do të shkojë dëm dhe se do të punojë “me përulësi, përgjegjësi dhe integritet kundër krimit e korrupsionit”.
“Jam thellësisht i gëzuar dhe i nderuar, por mbi të gjitha i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po marr para jush, duke ju siguruar se asnjë ditë e këtij mandati nuk do të na shkojë dëm. Do të punoj me përulësi para qytetarëve të mi, me vendosmëri, përgjegjësi e integritet kundër krimit e korrupsionit, me transparencë e llogaridhënie në çdo vendim, me respekt e mirënjohje për çdo lagje, çdo fshat e çdo familje të Mitrovicës”, ka shkruar Peci në një reagim në Facebook.
Peci falënderoi strukturat e Vetëvendosjes dhe Partisë Guxo, si dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilin e quajti “shembull të njeriut të drejtë e sypatrembur që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës”.
Ai u zotua se do të jetë kryetar i të gjithëve, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie.
“Interesi publik do të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër; Mitrovica do të trajtohet me dinjitetin që meriton, si qytet i sakrificës, punës dhe guximit”, ka shtuar tutje ai.