Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ministres së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hjadari, ish-zëvendëssekretarit të MINT, Irfan Lipovica, dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
Ndërkohë, ndaj afaristit Ridvan Muharremi, i njohur si “Ridi”, Prokuroria Speciale e akuzon për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Hjadari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt–mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare në bashkëkryerje, me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimin e dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës, i cili sipas dokumentacionit zyrtar është 2,912,134.78 euro.
“Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj R.H., I.L. dhe H.G nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa ndaj R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se kanë zbuluar pa autorizim fshehtësinë zyrtare, duke lejuar që vendndodhja e rezervave shtetërore, që përbën sekret shtetëror sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, të jetë në dispozicion të Ridvan Muharremit.
“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M.
