Dyshime të reja janë ngritur për KQZ-në rreth menaxhimit të tenderit të shtypjes së fletëvotimeve, të cilin e fitoi kompania sllovene, CETIS.
Kjo e fundit, që është në një grup operatorësh edhe me një kompani kosovare, tha se në rastin e shpërputhjes së kodit të fletëvotimeve kryesisht në Mitrovicë të Jugut por edhe Gjakovë, ndodhi një problem teknik.
E gjithë kjo po vlerësohet se ka mund të shmanget përmes kontratës mes kompanisë dhe KQZ-së.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës INPO, Albulena Nrecaj thotë se në dosjen e tenderit operatorit teknik i është kërkuar që t’i posedojë certifikatat ndërkombëtare të sigurisë, ISO 9001, ISO 14298 dhe ISO 27001.
Por, sipas saj në kontratë mungon një amendament kontraktual që thotë se kompania duhet të zbatojë një auditim digjital gjatë procesit të shtypjes së fletëvotimeve.
“E kemi vërejtur se KQZ nuk e ka një raport të tillë ose së paku deri më sot nuk është publikuar i cili në mënyrë reale gjatë shtypjes së fletëvotimeve do të identifikonte secilin fletëvotim i cili do të ishte shtypur me probleme qoftë me numra serik, qoftë me probleme të tjera, dhe para se të ndodhte problemi, para se të shpërndaheshin fletëvotimet, kompania dhe KQZ me ekipin e saj mbikëqyrës të kontratës apo me ekipin e zbatimit të kontratës do t’i identifikonin këto problem”, ka thënë Nrecaj.
Televizioni kërkoi një përgjigje me shkrim për këtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve por zëdhënësi i saj nuk është përgjigjur.
Në anën tjetër, Besnik Buzhala – ushtrues detyre i kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, përmes telefonit për TV Dukagjini e ka konfirmuar se po kërkojnë sqarime nga personat përgjegjës për kontratën, përfshirë edhe për termat e referencës.
“Ka edhe komisione të vlerësimit e të pranimit që janë bërë, kështu që ne i presim raportet prej tyre edhe japim përgjigje….”, tha ndër të tjera Buzhala.
Sipas tij, pasi të pranohen këto raporte do të kuptohet edhe nëse ka pasur raport digjital të kërkuar me kontratë.
Drejtoresha ekzekutive e INPO-s, vlerëson se përpos një sqarimi që duhet të vijë nga KQZ-ja, duhet të ketë angazhim edhe nga institucione të pavarura të auditimit.
“Dhe për ta garantu si një palë krejt e pavarur që garanton auditim të mirëfilltë dhe të pa-anshsëm është Zyra Kombëtare e Auditimit e cila është e mandatuar të auditoj çdo proces apo le të themi çdo institucion i cili shpenzon paranë publike dhe çdo dyshim i cili mund të ngritet se është përdorur paraja publike ose është përdohur le të themi është cënuar interesi publik në proces”, ka shtuar Nrecaj.
Ndërkohë Zyra Kombëtare e Auditimit për TV Dukagjini, e ka konfirmuar se e ka pranuar kërkesën për auditim të kontratës, duke deklaruar se ajo do të trajtohet nga personat përgjegjës, pa dhënë detaje të tjera.
