Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka theksuar se ka arritur një fitore të rëndësishme në Gjykatën Supreme kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Gjykata ka konstatuar si të paligjshme disa dispozita të akteve nënligjore të ZRRE-së, përfshirë: Nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike (2017) dhe Nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi (2018).
Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt një tregu të energjisë më të drejtë dhe transparent, “duke mbrojtur interesat e bizneseve dhe konsumatorëve jo-familjarë, veçanërisht lidhur me faturimin e qershorit 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025”, thuhet nga OEK.
OEK ka potencuar se do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtij vendimi dhe të angazhohet në krijimin e rregulloreve të reja në përputhje me ligjin.