Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) lidhur me hetimet për masakrën e Reçakut.
Intervista po zhvillohet në cilësinë e dëshmitarit. Këtë e kanë konfirmuar edhe nga vetë prokuroria.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale mund t’ju konfirmojë se Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi është ftuar për intervstim në cilësinë e dëshmitarit. Prokuroria shpreh vlerësimin për gatishmërinë dhe kontributin që z.Kelmendi ka dhënë lidhur me zbardhjen e një çështjeje penale, që Prokuroria Speciale e ka në trajtim”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Ndërkaq, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka shprehur shqetësim të thellë pas konfirmimit se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me Masakrën e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullit shqiptar gjatë luftës në Kosovë.
Në një reagim zyrtar, OVL e UÇK-së thekson se kjo ftesë ka zbuluar se Kelmendi, gjatë kohës së masakrës, ka qenë asistent i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq, e cila “hetonte” ngjarjen nga perspektiva e regjimit të Millosheviqit, duke tentuar të relativizonte krimet.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh shqetësimin më të thellë pas konfirmimit se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me Masakrën e Reçakut, njërën nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës.