Kosova dhe Shqipëria do të zbulojnë sot rivalët e tyre në plejofin vendimtar për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026.
Shorti hidhet në orën 13:00.
Të dy përfaqësueset ndodhen në vazon e tretë, së bashku me Irlandën dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Në gjysmëfinale, ato do të përballen me një ekip nga vazoja e dytë, ku gjenden Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia. Përfaqësueset e kësaj vazoje do të jenë nikoqire në ndeshjet gjysmëfinale që luhen më 26 mars 2026.
Në rast të kalimit të gjysmëfinales, Kosova ose Shqipëria do të luajnë finalen e plejofit më 31 mars ndaj fituesit të duelit nga vazoja e parë (Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina) ose nga vazoja e katërt (Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut). Nikoqiri i finales do të përcaktohet me short.
Kualifikimi në Botëror do të përbënte një arritje historike për të dy kombëtaret.