Shorti i hedhur sot në Cyrih të Zvicrës ka përcaktuar duelet e plejofit të UEFA-s për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026.
Shqipëria dhe Kosova kanë mësuar kundërshtarët e tyre për ndeshjet gjysmëfinale, të cilat luhen më 26 mars 2026.
Shqipëria do të ketë një sfidë tepër të vështirë në transfertë, pasi përballet me Poloninë, një nga ekipet më të forta të Vazos 2 dhe pretendente serioze për Botëror.
Ndërkohë, Kosova udhëton drejt Bratislavës, ku do të sfidojë Sllovakinë, një kundërshtar i fortë, por më i balancuar në letër për “Dardanët”.
Fituesit e këtyre dy sfidave do të luajnë më 31 mars në finalen e plejofit, kundër fituesit të dueleve midis ekipeve të Vazos 1 dhe 4, me nikoqirin që përcaktohet me short.
Për të dy kombëtaret, kualifikimi në Botëror do të ishte një arritje historike.
