Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj shtetases italiane D.G.E., për shkak të dyshimit për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Falsifikimi i parasë”.
Sipas Prokurorisë, më 19 nëntor 2025, rreth orës 10:30, në pikën kufitare Hani i Elezit, e pandehura ka transportuar pa autorizim substanca narkotike dhe psikotrope me qëllim të shpërndarjes.
Gjatë kontrollit në valixhen e saj, policia dhe Njësia anti-kontrabandë e Doganës gjetën: Dy qese najloni me Methaphetamin, 24.93 gram, Një qese me Mephodrone (MMC), 4.20 gram, një qese me substancë të bardhë të papërcaktuar, 1.78 gram, dy shishe qelqi me Gamma Butyrolactone (GBL), 158.8 gram total, një epruvetë qelqi për tymosje të drogave.
Po ashtu, nga kontrolli rezultoi se e njëjta posedonte dy kartëmonedha nga 100€ të falsifikuara, të cilat kishte qëllim t’i vënte në qarkullim. Të gjitha substancat narkotike dhe paratë e sekuestruan autoritetet.
D.G.E. nga 19 nëntori ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh, sipas vendimit të Prokurorit të Shtetit, për të dyshuar për veprat penale të përmendura.