Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka zhvilluar sot mbledhjen e parë me kryesinë e partisë pas marrjes së detyrës.
Në konferencën e mbajtur pas takimit, ai deklaroi se PDK hyn plotësisht e përgatitur në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe synon daljen fituese.
Hamza theksoi se ekipi është i bashkuar, i organizuar dhe me një vizion të qartë për t’i kthyer vendit normalitetin, stabilitetin dhe funksionimin e duhur institucional.
“Më 28 dhjetor, PDK është gati për fitore. Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe një qeveri që punon, bashkëpunon dhe jep rezultate. Jo për improvizim, ndarje e shmangie të përgjegjësisë. Jemi të bindur se së bashku me qytetarët do të hapim një kapitull të ri për vendin”, tha Hamza.
Ai njoftoi se Kryesia ka miratuar vendime të rëndësishme organizative që garantojnë mobilizim të plotë në çdo komunë dhe çdo strukturë të partisë.
Sipas tij, PDK tashmë ka gati platformën qeverisëse që përfshin zhvillim ekonomik, stabilitet politik, dialog të përgjegjshëm, sundim të ligjit, investime kapitale dhe orientim të fuqishëm euroatlantik. Janë formuar ekipi qendror, shtabi zgjedhor dhe ka nisur puna për përzgjedhjen e një liste përfaqësuese të kandidatëve për deputetë.
Hamza premtoi një fushatë të qetë, të bazuar në programe dhe nevojat e qytetarëve, duke shmangur gjuhën e përçarjes dhe duke u fokusuar në rezultate konkrete.
Ai theksoi gjithashtu se PDK mbetet e hapur për çdo qytetar që dëshiron t’i bashkohet këtij vizioni.
“Kemi nisur diskutimet me degët, strukturat dhe aktivistët tanë, por edhe me çdo qytetar që dëshiron të angazhohet për të mirën e Kosovës. Dera jonë është e hapur për të gjithë. PDK po forcohet dhe po rritet”, theksoi Hamza.
Në fund, ai vlerësoi lart rolin e mërgatës, duke e cilësuar kontributin e saj si shumë të rëndësishëm për procesin zgjedhor të ardhshëm.