Gjermania ka regjistruar numrin më të lartë të viktimave të dhunës në familje në vitin 2024, sipas shifrave zyrtare të publikuara të premtenn 265 mijë e 942 persona kishin mbetur të lënduar nga rastet e dhunës në familje të raportuara përgjatë vitit të kaluar.
Gratë përbëjnë 70 për qind të viktimave. Policia regjistroi 308 vajza dhe gra të vrara gjatë vitit.
Autoritetet gjithashtu regjistruan 53.451 viktima femra të krimeve seksuale në vitin 2024, një rritje prej 2 për qind nga viti i kaluar. Pothuajse gjysma ishin të mitura kur ndodhën krimet.
Ministrja e Çështjeve Familjare e Gjermanisë, Karin Prien në konferencën për mediat në Berlin tha se shifrat ishin shqetësuese dhe qeveria po punonte për masa të reja për të siguruar lirinë dhe sigurinë e grave.
“Dhuna ndaj grave është krim i përditshëm që nuk duhet ta tolerojmë. Çdo grua ka të drejtë për një jetë pa frikë dhe pa dhunë”, theksoi ajo.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt premtoi se mbrojtja e grave do të jetë përparësia më e lartë për qeverinë dhe autoritetet e sigurisë.
“Gratë duhet të ndihen të sigurta dhe të jenë në gjendje të lëvizin lirisht kudo”, tha ai duke shtuar se sipas projektligjit të ri, qeveria planifikon t’u lejojë gjykatave t’u kërkojnë autorëve të dhunës në familje të mbajnë monitorë elektronikë të kyçit të këmbës.
Kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Munch tha se statistikat zyrtare kapin vetëm rastet e raportuara.
“Dhuna në familje e cila shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura, është veçanërisht e prirur të mos raportohet. Prandaj, ne duhet të punojmë për të inkurajuar më shumë viktima që të gjejnë guximin për të raportuar incidentet në mënyrë që të përmirësojmë mbrojtjen dhe mbështetjen për viktimat”, tha Munch.