Polonia do të vendosë 10,000 trupa për të ndihmuar në mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit nga Rusia.
Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ministri polak i mbrojtjes, tha se ushtarët do të mbrojnë infrastrukturën, siç janë linjat hekurudhore, nga sulmet sabotuese, shkruan The Telegraph, transmeton Dukagjini.
Ky mobilizim vjen pas shpërthimeve të së dielës në një pjesë të binarëve të trenit të përdorur për dërgimin e furnizimeve me ndihmë nga Varshava drejt kufirit me Ukrainën.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se “akti i paprecedentë i sabotimit” u krye nga dy ukrainas që bashkëpunonin me shërbimet e inteligjencës ruse.
Në përgjigje të incidentit, Polonia u zotua të mbyllë konsullatën e fundit të mbetur të Rusisë, në Gdansk. Varshava ka mbyllur konsullatat ruse në Krakov dhe Poznan për shkak të akteve të sabotimit.
“Kam vendosur të tërheq pëlqimin për funksionimin e konsullatës ruse në Gdansk. Ai [sulmi në linjën hekurudhore] nuk ishte vetëm një akt sabotimi, por edhe një akt terrorizmi shtetëror”, tha ministri i jashtëm polak, Radoslaw Sikorski.
Ai tha se do t’u kërkonte vendeve të tjera të BE-së të kufizonin udhëtimin e diplomatëve rusë në zonën Shengen me 25 vende, duke paralajmëruar se ky nuk ishte “fundi” i përgjigjes së Polonisë.
Moska mohoi përgjegjësinë për shpërthimet, duke përmendur “rusofobinë” në Poloni, dhe tha se do të vendoste kufizime të tipit “dhëmbë për dhëmbë” në praninë diplomatike dhe konsullore të Polonisë në Rusi.
Një valë zjarrvëniesh, sabotimesh dhe sulmesh kibernetike në Poloni dhe vende të tjera evropiane është lidhur me luftën hibride të Vladimir Putinit kundër aleatëve të NATO-s, e cila synon të prishë mbështetjen ushtarake për Kievin.
Kaja Kallas, diplomatja më e lartë e BE-së, tha se sulmi në linjën e trenit nxori në pah nevojën për mbrojtje më të mirë përballë një rreziku të paparë për infrastrukturën kritike evropiane.
“Duhet të kemi një përgjigje të fortë sepse ajo që Rusia po përpiqet të bëjë është dy gjëra. Nga njëra anë, të na testojë, të shohë se sa larg mund të shkojnë… dhe të përpiqet të mbjellë frikë brenda shoqërisë sonë”, tha Kallas.
Shtetasit ukrainas të dyshuar për orkestrimin e shpërthimit në linjën hekurudhore Varshavë-Lublin ikën për në Bjellorusi.
Gjatë këtij viti, Europol, agjencia e zbatimit të ligjit e BE-së, akuzoi Rusinë për përdorimin e rrjeteve kriminale për të nxitur një rritje të akteve të sabotimit me motive politike, duke përfshirë zjarrvënie, sulme kibernetike, vjedhje të dhënash dhe kontrabandë migrantësh.
Muajin e kaluar, Varshava njoftoi se kishte punuar me Rumaninë për të ndaluar tetë persona të dyshuar për planifikim sabotimi.
Wiesław Kukula, shefi i shtabit të ushtrisë polake, tha se kombet duhet të jenë në gatishmëri të lartë për sulme në Krishtlindje, kur armiqtë e Polonisë mund të përfitojnë nga netët e gjata të dimrit për të synuar më shumë infrastrukturë.
“Nuk duhet ta lejojmë që kjo të ndodhë”, tha ai.