Përmbytjet në Shqipëri, aktivizohen Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forca

Policia e Shtetit në Shqipëri po vijon të jetë në gatishmëri të përforcuar për shkak të motit të keq.

Në njoftimin e Policisë së Shqipërisë thuhet se Shërbimet e Policive Vendore, Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat shkuan në ndihmë të banorëve, ku u kërkua ndihmë. Në zonat më problematike u angazhuan edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe të Delta Forcës, njofton Dukagjini.

Tutje bëhet se ditur se gjatë ditës së sotme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 shtetas, ndërmjet tyre një të moshuar 100-vjeçe nga fshati Çiflik.

Shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë banorëve të fshatit Progër, Bashkia Devoll, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje. Prej mëngjesit, shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, që është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.

Gjithashtu, specialistët e Policisë në zona janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e njësive administrative, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje.

Në të gjitha Sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi, duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme.

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë, duke bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me Emergjencat Civile, dhe për çdo nevojë e ndihmë nga forcat e policisë, qytetarët të kontaktojnë në numrin e telefonit pa pagesë 112.

Të fundit nga rubrika